image Sinjali i Mjekut: Roli i ushqimit në shëndetin e lëkurës

Shëndetësi

Sinjali i Mjekut: Roli i ushqimit në shëndetin e lëkurës

news image

Ushqimi i pashëndetshëm mund të dëmtoj metabolizmin tuaj, të ju bëjë të shtoni shumë kilogram, të ndikojë në punën e zemrës dhe mëlqisë por edhe të ndikoj në pamjen e lëkurës suaj, thotë për Gazetën Sinjali, Artizana Dushi – dermatovenerologe.

Sipas Dushit, studimet tregojnë se ushqimi luan rol kyç në shëndetin e lëkurës. Ajo vë theksin në antioksidantët të cilët gjenden në Vitaminën C dhe E, të cilat e mbrojnë lëkurën prej dëmtimeve të rrezeve të diellit.

“Përveç vitaminave të lartëcekura edhe Vitamina B është përgjegjëse për formimin e bazës së qelizave të lëkurës, flokëve dhe thonjëve. Ndërsa Vitamina A të cilën e gjejmë në karrota, vezë, kungull e patate të ëmbël mirëmban dhe riparon indin lëkuror. Mungesa e tyre shihet dukshëm në lëkurë, flokë dhe thonj” – thotë Dushi.

Sipas doktoreshës ndërlidhja e ushqimit të pashëndetshëm me paraqitjen e rrudhave të hershme në lëkurë tashmë është e dëshmuar.

“Konsumimi i ushqimit të shëndetshëm dhe sasisë së bollshme të ujit  i cili ka rol kyç në hidratim, ndihmon shumë në përmirësimin e lëkurës. Ndërsa ushqimet si buka e bardhë, pastat, orizi i bardhë shndërrohen në sheqer dhe e ngritin nivelin e insulinës. Si pasojë do të kemi përkeqësim të proceseve inflamatore në lëkurë. Nuk është lajm i ri nëse themi se konsumimi i sheqerit nuk është i mirë për organizmin në përgjithësi dhe lëkurën në veçanti”.

Më tutje doktoresha thotë se është shumë e rëndësishme që të mos bëhet rutinë të ushqyerit me ushqime të shpejta. Në vend të këtyre ushqimeve ajo liston disa nga ushqimet e shëndetshme që i kontribojnë shëndetit të lëkurës.

“Ushqimet e pasura me Omega 3 si peshku dhe arrat, avokado për shkak të vajërave të shëndetshme, brokoli për shkak të sasisë së vitaminave dhe mineraleve ideale, domatja për shkak të pranisë së vitaminës C, çokollata e zezë për shkak të pranisë së antioksidantëve dhe rreth dy litra ujë gjatë një dite janë esenciale për mirëmbajtje të lëkurës” – thotë ajo.

Dushi apelon që të evitohet konsumimi i alkoolit pasi ai redukton sasinë e vitaminës A e cila është antioksidant me shumë rëndësi në rigjenerinim e lëkurës. /Gazeta Sinjali/