image Sindikata e Policisë për suspendimin e policit: Nuk kemi të drejtë të bëjmë publikime politike

Siguri

Sindikata e Policisë për suspendimin e policit: Nuk kemi të drejtë të bëjmë publikime politike

news image

Pas mesnatës, zyrtari policor, Amir Hoxha, ka lajmëruar se është suspenduar nga Policia e Kosovës në lidhje me një postim të publikuar në Facebook. Ai kishte shkruar për mospagesën e shujtave për policët, mirëpo edhe i kritikoi deputetët për shpenzimet për karburante.

E dyshimi i parë për suspendimin e Hoxhës është një urdhëresë nga menaxhmenti që ia ndalon policëve të bëjnë publikime politike.

Kështu ka thënë kreu i Sindikatës së Policisë së Kosovës për Sinjalin, Imer Zeqiri.

Janë disa gjëra të kufizuara në polici. Ne nuk kemi të drejtë të bëjmë publikime politike. Është një urdhëresë nga menaxhmenti që thotë se nuk kemi të drejtë të bëjmë komente politike. Ajo urdhëresë është që disa vite”, ka thënë ai.

Zeqiri, gjithashtu tha se nuk duhet të mohohet e drejta e policëve për t’i kërkuar të drejtat e veta.

Një gjë dua ta bëj të qartë, që policëve nuk duhet t’iu mohohet e drejta për t’i kërkuar të drejtat që iu takojnë“, tha ai për Sinjalin.

Zeqiri tha se Sindikata është ende duke mbledhur informacione dhe do të dalin me një komunikatë për media me detaje tjera.

Në lidhje me këtë rast janë deklaruar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët thanë se suspendimi është bërë nga Policia e Kosovës dhe nuk janë duke e trajtuar këtë rast.

Ndërsa nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kanë thënë se ndaj policit askush nuk duhej të merrte masa disiplinore pasi ai nuk e ka dëmtuar askënd.

Shqetësimet e policit janë krejtësisht me vend dhe ai ka të drejtë 100 për qind sepse ai e ka kërkuar një të drejtë që i takon. E në këtë kontekst mendoj se ndaj tij nuk duhej të merrej asnjë masë disiplinore, por duhet të merret si porosi që të veprojnë më shpejt. Fjala e lirë është e garantuar dhe ai nuk e ka dëmtuar askënd“, ka thënë kreu i KMDLNj-së , Behgjet Shala.

/GazetaSinjali/