Dita e shtunë ishte e kobshme për disa familje në vendin tonë, që humbën tragjikisht më të dashurit e tyre. Pesë persona vdiqën, në tri aksidente trafiku, në Podujevë, Pejë, si dhe në Graçanicë. Në aksidentin me fatalitet që ndodhi në fshatin Ozdrim të Pejës, mbetën të vdekur dy këmbësorë, ndërkaq një person tjetër është lënduar rëndë, raporton Gazeta Sinjali.
Dy viktimat që u goditën për vdekje janë nga Avdi Shala dhe Fadil Shala, të cilët nuk arritën t’i përballojnë plagët e rënda dhe vdiqën në vendin e ngjarjes, teksa personi i lënduar tashmë po trajtohet në QKUK.
Për vdekjen e tyre ka shkruar njëri nga familjarët e tyre, i cili shprehu me disa fjalë dhimbjen e madhe nëpër të cilën po kalojnë si familje.
“Ivv qna kputet shpirtat, natë e kobshme nuk harrohet për këta dy vdekje të Djemt axhes Vdekja u tregua e padrejtë me ju E kësaj vdekje i raft t’zana Si të jetoj e zeza nana Dhimbje e madhe plagë e pashëruar. Gjithmon do të mbeteni te paharruar per ndarjet e parakoshme nga jeta. Qofshi te xhenetit!“, ka shkruar ai.
Rastin në fjalë e ka konfirmuar mbrëmë për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili tha se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është shoqëruar në stacion policor.
“Rreth orës 21:30 Policia është informuar për një aksident trafiku në fshatin Ozdrim të Pejës. Në aksident kanë qenë të involvuara një veturë dhe tre këmbësorë, dy prej të cilëve kanë rezultuar me fatalitet. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa i lënduari është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës. Personi që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin është shoqëruar në stacion policor”, tha Driton Rugova për Sinjalin.
Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore në Pejë, me ç’rast është bërë e ditur se brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e nevojshme.
Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.