image Si erdhi deri te përgjakja e 19-vjeçarit nga policia në Mitrovicë dhe pse u suspendua zyrtari policor - Sinjali

Si erdhi deri te përgjakja e 19-vjeçarit nga policia në Mitrovicë dhe pse u suspendua zyrtari policor

news image

Rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm 19-vjeçari Shaban Beqiri dyshohet se është goditur me shufër nga zyrtari policor Besnik Shala, te Liqeni Akumulues në Mitrovicë, afër Stadiumit të vjetër të qytetit, shkruan Gazeta Sinjali.

Për shkak të lëndimeve të marra, 19-vjeçari ka shkuar për të marrë tretman mjekësor në Emergjencë.

Por, si rrodhi e gjithë ngjarja?

Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Mitrovicë bëjnë të ditur se sot rreth orës 04:00, gjatë orës policore, Shaban Beqiri dhe tre të rinj tjerë kanë ndezur një zjarr për t’u ngrohur afër stadiumit të vjetër të Mitrovicës.

Në vendin e ngjarjes kishte arritur një patrullë policore dhe zyrtarët policorë ua kishin tërhequr vërejtjen të rinjve që ta fikin zjarrin dhe të largohen nga aty.

Këto burime i kanë thënë gazetës se të rinjët ishin larguar nga aty, për t’u kthyer sërish pas disa minutave.

Vetëm pak minuta më pas te Liqeni Akumulues ishte kthyer edhe patrulla policore. Dy zyrtarë policorë – njëri prej të cilëve ishte Besnik Shala, polici i suspenduar për këtë rast – ishin nisur në drejtim të të rinjve, të cilët ishin larguar me vrap.

Shaban Beqiri ishte ndaluar dhe pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me zyrtarin policor Besnik Shala, dyshohet se është goditur disa herë me shufër nga polici.

I përgjakur pas goditjeve me shufër që dyshohet se i mori nga zyrtari policor, 19-vjeçari ka shkuar në Emergjencën e qytetit për trajtim mjekësor dhe më pas në stacionin policor ku kishte bërë ankesë kundër policit Besnik Shala.

Me vendim të prokurores së rastit, ndaj zyrtarit policor Besnik Shala është hapur rast penal nën dyshimin se ka kryer veprën penale “shkaktim i lëndimit trupor”.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, i cili e ka suspenduar nga puna policin Besnik Shala.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/Gazeta Sinjali


Shpërndaje artikullin