image Gjendet pa shenja jete në banesën e saj në Mitrovicë, nis hetimi për vdekjen e 76-vjeçares

Sinjalizime

Gjendet pa shenja jete në banesën e saj në Mitrovicë, nis hetimi për vdekjen e 76-vjeçares

news image

Një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj në Mitrovicë, pasi një mike e saj alarmoi Policinë, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se viktima është Fatime Nici rreth 76-vjeç.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja u zbulua mëngjesin e 16 korrikut, në një banesë në Sheshin “Isa Boletini”, në pjesën jugore të Mitrovicës.

Dyshohet se viktima kishte lënë takim me shoqen e saj në orën 07:00, por nuk iu përgjigj telefonatave. E shqetësuar, dëshmitarja shkoi edhe te banesa e saj, por nuk arriti të kontaktonte me të, çka bëri që të kërkonte ndërhyrjen e Policisë.

Në vendin e ngjarjes dolën njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipi i emergjencës. Me ndihmën e zjarrfikësve, dera e banesës u hap me forcë, ndërsa 76-vjeçarja u gjet pa shenja jete në shtratin e dhomës së gjumit.

Ekipi mjekësor konstatoi vdekjen e saj në vendngjarje.

Me rekomandimin e Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut të vdekjes.

Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/