image Ekskluzive | E goditi me shuplakë të miturin dhe videoja u bë virale – Policia arreston 19-vjeçarin në Mitrovicë

Sinjalizime

Ekskluzive | E goditi me shuplakë të miturin dhe videoja u bë virale – Policia arreston 19-vjeçarin në Mitrovicë

news image

Një video e publikuar në rrjetet sociale, ku shihet një i ri duke e goditur me shuplakë një të mitur, ka vënë në lëvizje Policinë e Kosovës, duke çuar në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Vigjilent Beqiri rreth 19 vjeç, ndërsa viktimë është një i mitur me inicialet A.P. rreth 16 vjeç.

Sipas burimeve të Sinjalit, rasti u raportua mbrëmjen e 14 korrikut, pasi në rrjetet sociale u publikua një video ku shihet momenti kur një person e godet me shuplakë në fytyrë një të mitur.

Pas publikimit të pamjeve, hetuesit e Stacionit Policor Mitrovicë-Jug nisën menjëherë veprimet hetimore dhe arritën të identifikojnë si të dyshuarin, ashtu edhe viktimën.

Nga hetimet paraprake dyshohet se ngjarja nuk ka ndodhur ditën e publikimit të videos, por rreth dy ose tri javë më parë, në rrugën “UÇK”, në zonën e Sheshit të Vjetër në Mitrovicë.

I dyshuari është ftuar në stacionin policor dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa viktima është udhëzuar të paraqitet së bashku me prindin për intervistim.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Sulm”, ndërsa Vigjilent Beqiri është ndaluar për 48 orë.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/