image Si do të votojnë personat me COVID-19 në zgjedhjet lokale në Podujevë e Mitrovicë të Veriut

Politikë

Si do të votojnë personat me COVID-19 në zgjedhjet lokale në Podujevë e Mitrovicë të Veriut

news image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të presë rekomandimet e IKSHPK-së për organizimin e votimit për personat e prekur me koronavirus, në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut.

Anëtarët e KQZ-së kanë kërkuar sot që të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që të gjithë qytetarët e këtyre dy komunave e janë të infektuar me COVID-19, të mund të votojnë.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së Valdete Daka, tha se do të kenë udhëzime nga IKSHPK se si do të veprohet me personat e prekur me sëmundjen infektuese.

“Sekretariati do të komunikojë me IKSHPK-në dhe do të kemi edhe nga ata ndonjë udhëzim më konkret se si t’i trajtojmë ata persona”, tha ajo.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani kërkoi që të gjithë personat e prekur me koronavirus t’iu mundësohet votimi deri më 26 nëntor përmes ekipeve mobile të KQZ-së.

“Të gjithë të infektuarve gjatë kësaj kohe deri në 26 nëntor t’u mundësohet votimi përmes ekipeve mobile të KQZ-së. Është një datë më afër zgjedhjeve të 29 nëntorit, por edhe duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së. Kjo çështje mund të organizohet lehtësisht nga KQZ-ja, por duke pritur edhe rekomandimet e Institutit. Duhet të kemi një pyetje direkte për IKSHPK-në se në qoftë se atyre personave iu lejohet votimi përmes ekipeve mobile të KQZ-së të cilët sigurisht duhet t’i marrin edhe masat e sigurisë, që ata të mos infektohen”, tha ai.

Edhe anëtari tjetër i KQZ-së nga LVV-ja, Sami Kurteshi, tha se çdo personi duhet t’i mundësohet e drejta e votës në komunën ku ai jeton.

“KQZ e ka mundësinë që t’i merr kontaktet me IKSHPK-në dhe me institucionet tjera se nuk e di a është Policia a është Komuna a kush është që t’i identifikojë ata persona që duhet të ngujohen për shkak të infektimit me COVID-19, por atyre duhet t’iu mundësohet shprehja e vullnetit përmes votës”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme me nëntë vota për dhe një kundër, KQZ ka regjistruar si parti politike “Yenilikçi Türk Hareket Partisi”. Kjo ndodhi pas vendimit të PZAP që kishte anuluar vendimin e KQZ-së që kishte refuzuar ta regjistronte këtë parti.

Pikërisht kjo çështje ka përplasur anëtarët e KQZ-së Sami Kurteshi të LVV-së e Rifat Krasnic nga KDTP , ku ky i fundit ka kundërshtuar që kjo parti të regjistrohet.

“Ky që e ka formuar partinë e turqve, ai vetë nuk është komunitet turk, e dyta nëna e kryetarit të partisë ka qenë kandidate e partisë së komunitetit shqiptar Ora dhe ky njeri është në gjyq, pasi ka vjedhur miliona dollarë dhe sot këto 570 nënshkrime që janë këtu, ata 99 për qind asnjë nuk përfaqëson komunitetin turk. Dëshirojnë që komuniteti turk që jeton në Kosovë të bëhet copa-copa”, tha ai.

Por, që kjo parti të regjistrohet ka kërkuar Sami Kurteshi, i cili tha se PZAP me këtë vendim e ka vërtetuar një absurd të KQZ-së.

“Kjo ka qenë një shuplakë e madhe për KQZ-në nga PZAP-ja, shuplakë shumë e madhe, shumë e drejtë, pa marrë parasysh që unë kam votuar për dhe shumica kemi votuar për po nuk i ka mbërri dy të tretat. Realisht, po të shikohet në thelb nga krejt dokumentet e paraqitura, KQZ-ja nuk ka pasur të drejtë të votojë për këtë çështje, sepse nuk ka pasur asnjë vërejtje konkrete të bazuar në ligj. Prandaj, unë nuk po mund të pranojë se në KQZ merren vendime të tilla absurde”, tha ai.

KQZ ka shqyrtuar dhe miratuar raportin e punës së Sekretariatit të KQZ-së për periudhën janar-shtator 2020, si dhe kërkesën për ndryshimin e planit të punës për vitin 2020, për shkak të organizimit të procesit të jashtëzakonshëm zgjedhor në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

Lidhur me raportin e punës së Sekretariatit të KQZ-së për periudhën janar-shtator 2020, kanë pasur ankesa thuajse të gjithë anëtarët e KQZ-së.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, tha se sekretariati është shumë i varur nga KQZ-ja në kuptimin negativ.

Gjithashtu ajo ka pasur edhe një propozim për Sekretariatin e KQZ-së që të mos propozojnë aktivitete, të cilat në fillim e dinë që nuk do të mund t’i përfundojnë. /Gazeta Sinjali/