image Si babai, si i biri: Giga i Vogël, djali i Gigës nga Prizreni u arrestua pasi u kap me drogë

Siguri

Si babai, si i biri: Giga i Vogël, djali i Gigës nga Prizreni u arrestua pasi u kap me drogë

news image

Antidroga e Policisë së Kosovës dje ka arrestuar një person në rrugën “Sylejman Vokshi” në lagjen Tuzus në Prizren, pasi i njëjti dyshohet për posedim të drogës, shkruan Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që ra në prangat e Policisë, është Albin Kadriaj me nofkën Giga i Vogël.

Giga i Vogël siç duket ka ndjekur rrugën e babait të tij, i cili njihet me nofkën Giga. Sipas burimeve të Sinjalit babai i tij është arrestuar në Austri, pasi që njëjtë si i biri, është kapur me drogë nga autoritetet austriake.

Ndërkohë djali i tij pasi është prangosur është dërguar në stacion të Policisë në Prizren, ku ka dhënë deklaratën para hetuesve. Me vendim të prokurorit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personi që posedon drogë mund të dënohet me burgim deri në 8 vjet.

Kushdo që pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope apo substanca analoge, dënohet me gjobë dhe me burgim prej dy (2) deri në tetë (8)  vjet”, thuhet në Kodin Penal.

Kujtojmë që Antidroga këto ditë ka kryer aksione në disa qytete. Të hënën, është kryer bastisje në një shtëpi në Gjilan, ku janë gjetur substanca narkotike të llojit marihuanë e kokainë, para dhe municion.

Ndërsa edhe tre persona tjerë janë arrestuar në Mitrovicë të Jugut e Vushtrri, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


/GazetaSinjali/