image Shumica e viktimave nga COVID-19 me sëmundje shoqëruese

Shëndetësi

Shumica e viktimave nga COVID-19 me sëmundje shoqëruese

news image

Rreth 70 për qind e pacientëve që kanë humbur betejën me koronavirus javëve të fundit në Kosovë, kanë qenë të vaksinuar, por kanë vuajtur nga sëmundje të tjera të rënda, thotë për Radion Evropa e Lirë Arben Vishaj, drejtor në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në dhjetëditëshin e fundit, nga data 9 deri më 19 shkurt, autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar 45 viktima nga COVID -19, sëmundja që e shkakton koronavirusi.

“Pacientët që kanë humbur jetën, kanë lënguar më herët nga sëmundje shumë të rënda, siç janë sëmundjet malinje, ose kanë pasur ndërhyrje në zemër, apo kanë pasur çrregullime të mëdha të zemrës”, thotë Vishaj.

Kosova, javëve të fundit, ka regjistruar shifra të larta të të infektuarve me koronavirus, për dallim nga javët e fundit të vitit të kaluar.

Më 26 janar është raportuar rekord rastesh, mbi 4,300, për dallim prej dhjetorit kur rastet ditore të të infektuarve kanë qenë njëshifrore.

Autoritetet shëndetësore besojnë se varianti Omicron i koronavirusit është dominues në Kosovë.

Ky variant është cilësuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Për herë të parë është identifikuar në muajin nëntor të vitit të kaluar në Afrikë të Jugut dhe që atëherë është përhapur në qindra vende të botës.

OBSH ka konstatuar se varianti mund të shkaktojë simptoma më të lehta të sëmundjes, por është më ngjitës se çdo variant i mëparshëm.

/GazetaSinjali/