Teksa po diskutohej për menaxhimin e seancës nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, kjo e fundit është ‘kapur’ edhe me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn.
Teksa Osmani po i replikonte deputetit Arben Gashi, ka kërkuar nga ministri Armend Zemaj të mos e fyej me fjalët “mos rrej”.
“Z. ministër, në këtë rast mos fyej se nuk je duke u ndalë. Ministri këtu po thotë “mos na rrej”, po e tregon mungesën e edukatës”, ka thënë ajo.
Ndërkaq Zemaj deklaroi se nuk kishte përdorur shprehje të tilla, por i kishte thënë asaj me humor “mos na rreh”.
“Kryetare të kisha lutë që si e para e Kuvendit dhe si njëra nga 120 deputetët është pak mirë që debatin ta orientoni në relaksim të situatës. Edhe nëse ka tension ndërmjet deputetëve apo kabinetit qeveritar me deputetët. Nuk ju thash mos na rrej, se unë jam djalë i mësueses, por mos na gënje. E them atë fjalë, por tani thash mos na rreh, se mu duke e tensionuar, e ishte për ta relaksuar debatin”, është shprehur ai.
Për këtë, kryeparlamentarja Osmani tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, sepse siç tha, Zemaj e njeh mirë atë. /Gazeta Sinjali