image Shteti me shumë festa

Kosovë

Shteti me shumë festa

news image

Qeveritë e pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ende nuk e kanë themeluar Komisionin Republikan të Festave i cili do të përgatiste rregullat dhe mënyrat e festimit të festave zyrtare si dhe ditët memoriale.

Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, parasheh disa festa zyrtare në vendin tonë. 11 festa zyrtare janë gjithsej në Kosovë, e të cilat sipas këtij ligji janë ditë të lira me pagesë për të gjithë punëtorët e Kosovës, përveç kur është e rregulluar ndryshe me ligje tjera.

Neni 2 pika 2.1 thotë:

2.1 Duke pasur parasysh respektimin e historisë, kulturës dhe të traditave, të popullit të Kosovës dhe të shtetasve të saj, festa zyrtare në Republikën e Kosovës janë:

a) Viti i Ri-1 dhe 2 janari;
b) Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti;
c) Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prilli;
d) Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji;
e) Dita e Evropës, 9 Maji;
f) Bajrami i Madh, dita e parë;
g) Bajrami i Vogël, dita e parë;
h) Krishtlindjet Katolike, 25 dhjetor;
i) Krishtlindjet Ortodokse, 7 janar;
j) Pashkët Katolike, E hëna e Pashkëve;
k) Pashkët Ortodokse, E hëna e Pashkëve.

Në kalendarin e festave zyrtare, Kosova ndonëse e izoluar dhe pa liberalizim vizash, e ka edhe shënimin e Ditës së Evropës, 9 Majin, festë kjo të cilën nuk e shënon asnjë vend i Unionit.

Neni 3 i ligjit për festat zyrtare parasheh po ashtu që këto festa të jenë ditë të lira me pagesë dhe se ato mund të kompensohen me pushim ose para si kundërvlerë.

3.1 Ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji janë ditë të lira me pagesë për të gjithë punëtorët e Kosovës, përveç kur është e rregulluar ndryshe me ligje tjera.

3.2 Një ditë pune gjatë festave zyrtare kompensohet me një ditë e gjysmë pushimi ose në kundërvlerë në para.

Janë të shpeshta rastet kur festat zyrtare në Kosovë rastis të jenë ditë të fundjavës, e shtunë ose e diel. Psh: vetëm gjatë këtij viti 4 festa kanë qëlluar në ditët e fundjavës ndërsa për pushim janë shfrytëzuar ditët e fillimit të javës, siç është edhe dita e sotme e cila është pushim për festën zyrtare, përkatsisht për ditën e parë të Kurban Bajramit.

Dita e pavarësisë, data e festës 17.02.2019 e diel – dita e pushimit 18.02.2019 e hënë

Pashkët katolike – data e festës 21.04.2019 e diel – dita e pushimit 22.04.2019 e hënë

Pashkët ortodokse – data e festës 28.04.2019 e diel – dita e pushimit 29.04.2019 e hënë

Bajrami i vogël, dita e parë – data e festës 11.08.2019 -dita e diel – dita e pushimit 12.08.2019 e hënë

Ligji për festat zyrtare në Kosovë, neni 5 i tij i miratuar në maj të vitit 2008 parasheh që qeveria ta formoj Komisionin Republikan të Festave ku përcaktohen edhe përgjegjësitë e këtij komisioni.

5.1 Qeveria e Republikës së Kosovës, themelon Komisionin Republikan të Festave, përbërja e të cilit pasqyron diversitetin e shoqërisë kosovare.

5.2 Komisioni Republikan i Festave do të përgatitë rregullat dhe mënyrat e festimit të festave zyrtare si dhe ditët memoriale.

5.3 Komisioni Republikan i Festave Zyrtare, më së largu gjer në fundin e muajit tetor të vitit vijues, nxjerr Kalendarin e festave zyrtare dhe ditët memoriale, për vitin që vjen, duke u bazuar në këtë ligj.

5.4 Festat e reja zyrtare mund të përcaktohen me plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji.

Por, ky Komision Republikan i festave nuk u formua nga asnjë qeveri e pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në uebfaqen e qeverisë së Kosovës tek zyra e kryeminsitrit në vegzën për komisione figuron vetëm “Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit” si dhe “Ish Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit”.

Ndryshe pos festave zyrtare, në kuadër të ligjit për festat zyrtare, parashihen edhe ditët memoriale. Në nenin 5 pika 5.5 thuhet:

5.5 “Ditët memoriale janë:
a) 28 Nëntori, dita e shqiptareve;
b) 12 Qershori, dita e paqes;
c) 6 Marsi, dita e Përkujtimit dhe e Respektit për Veteranet;
d) 23 Prilli, dita e turqve;
e) 8 Prilli, dita e romeve;
f) 15 Shkurti, dita e ashkalinjëve;
g) 28 Shtatori, dita e boshnjakeve;
h) 6 Maji, dita e goranëve.

Ditët tjera memoriale përcaktohen nga Qeveria e Republikës se Kosovës në konsultim me Presidentin e Republikës së Kosovës, nga të cilat dy ditë në konsultim me komunitetin serb të Kosovës. Në ligji thuhet poashtu se kuvendet komunale mund të përcaktojnë ditët e komunave të tyre si dhe ditët memoriale të komunave në harmoni me këtë ligj./Sinjali/