Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka inteligjencë që presidenti rus, Vladimir Putin ndihet se është mashtruar nga këshilltarët e tij ushtarakë, çka ka rezultuar me tension të vazhdueshëm në mes tij dhe krerëve ushtarakë.
“Ne besojmë se Putin është duke u keqinformuar nga këshilltarët e tij rreth asaj se sa dobët është duke vepruar ushtria ruse dhe si është duke u dëmtuar ekonomia ruse nga sanksionet, sepse këshilltarët e lartë ushtarakë janë shumë të frikësuar për të treguar të vërtetën”, ka thënë drejtorja për komunikime e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield në një prononcim para gazetarëve.
Ajo ka thënë se “është e qartë” që pushtimi rus në Ukrainë ka qenë “gabim strategjik” që do ta lë atë të dobët në periudhë afatgjatë.
Bedingfield ka thënë po ashtu se Shtetet e Bashkuara “vazhdojnë të shohin të dhëna për sulmet ruse dhe avancim në vendet që Rusia ka thënë se nuk do të luftojë”.
Rusia ka thënë të martën se do të zvogëlojë operacionet ushtarake rreth Kievit dhe Çernihivit dhe do të fokusohet në rajonin lindor Donbas.
Por, zyrtarët lokalë në Çernihiv, kanë thënë se sulmet kanë vazhduar gjatë natës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se ndonëse sinjalet fillestare nga bisedimet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë – që janë zhvilluar në Stamboll – kanë qenë “pozitive”, ato nuk kanë parandaluar shpërthimet ruse.
Në një adresim në orët e mbrëmjes më 29 mars, Zelensky ka thënë se shteti i tij mund t’iu besojë vetëm rezultateve konkrete të negociatave.
Ai është zotuar se Ukraina nuk do të zvogëlojë “përpjekjet për mbrojtje”, pasi ushtria ruse ka ende kapacitet për të kryer sulme.
Zelensky po ashtu ka bërë thirrje për kujdes ndaj deklatave të Rusisë se është duke zvogëluar operacionet afër Kievit, duke thënë se kjo nuk nënkupton dhënie fund të luftimeve.
“Situata nuk është bërë më e lehtë”, ka thënë ai.
Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë thënë se duhet pasur kujdes ndaj pretendimeve të Rusisë për zvogëlim të sulmeve, raporton REL.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë më 29 mars se “do të shohim çfarë do të ndodhë” në terren, ndërsa kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Rusia do të gjykohet nga veprat dhe jo fjalët.
Një negociator rus ka paralajmëruar se zotimi i Rusisë për shtensionim nuk do të thotë “armëpushim”.