Shtëpia e Bardhë lëshoi udhëzime të reja të hënën mbi testimet për Covid-19 dhe rihapjen e bizneseve ndërsa Presidenti Donald Trump deklaroi se “të gjitha pjesët e vendit janë në gjendje të mirë, ose duke u përmirësuar. Në të gjitha rastet duke u përmirësuar”.
Shtëpia e Bardhë publikoi atë që përshkruajti si një përmbledhje gjithëpërfshirëse të përpjekjeve të saj për të vënë në dispozicion teste të mjaftueshme për COVID-19, në mënyrë që shtetet të mund të testojnë të paktën 2.6 për qind të popullsisë së tyre çdo muaj.
Zonat që janë goditur më rëndë nga koronavirusi do të jenë në gjendje të testojnë dy herë më shumë, ose më të lartë se sa niveli mesatar. Presidenti Trump dhe ekspertët mjekësor të administratës së tij prezantuan planin gjatë një telefonate me guvernatorët e shteteve të hënën mbasdite, dhe Trump njoftoi se bizneset si farmacia CVS do të zgjeronin qasjen në teste në mbarë vendin.
Zhvillimet e së hënës kishin për qëllim mbushjen e boshllëqeve kritike në planet e Shtëpisë së Bardhë për të filluar “rihapjen” e vendit, duke rritur testimet për virusin ndërsa zhvendos fokusin e presidentit tek rimëkëmbja e ekonomisë së goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.
Duke folur në një konferencë për shtyp në oborrin e Shtëpisë së Bardhë të hënën në mbrëmje, Presidenti Trump tha se “testimi nuk do të jetë aspak problem”, duke shtuar, “ka një dëshirë të madhe për rihapjen e vendit tonë”.
Presidenti tha se plani i tij do t’i udhëzojë shtetet se si mund të rrisin në mënyrë dramatike testimin dhe gjurmimin e kontakteve të personave të infektuar.
Gjatë bisedës telefonike me guvernatorët e shteteve, Presidenti Trump sugjeroi se shumë shtete duhet të shqyrtojnë rihapjen e shkollave para fundit të vitit shkollor për t’ia lehtësuar prindërve rikthimin në punë.
“Disa prej jush duhet të mendoni rreth hapjes së shkollave sepse shumë njerëz duan hapjen e shkollave”, tha Trump në bisedën me guvernatorët. Agjencia e lajmeve Associated Press kishte marrë një audio regjistrim të bisedës telefonike mes Administratës së Presidentit Trump dhe guvernatorëve të shteteve.
Presidenti Trump tha në konferencën për shtyp në oborrin e Shtepisë së Bardhë se vende të tjera të botës po kontaktojnë administratën e tij për të mësuar më shumë mbi hapat lidhur me testimet./ Gazeta Sinjali/