Ndërsa të tjerë persona rezultojnë pozitivë në COVID-19, të tjerë presin për t’u shëruar, qindra-mijëra nëna presin të sjellin në këtë botë, jetë të reja.
Në Kosovë brenda vitit lindin rreth 25 mijë foshnje. Kjo do të thotë se rreth 25 mijë shtatzëna në këto momente të pandemisë mund t’i ekspozohen rrezikut për infeksion.
Infektologu Valbon Krasniqi ka dhënë disa këshilla për të gjitha shtatzënat në vendin tonë, pasi ato mund të jenë me të ndjeshme ndaj infeksioneve respiratore, për shkak të ndryshimeve që ndodhin në trupin e tyre.
“Deri më tani nuk është vërtetuar se shtatzënat janë më të rrezikuara se sa popullata e përgjithshme. Por, për shkak të ndryshimeve që ndodhin në trupin e tyre dhe në sistemin imun, femrat shtatzëna mund të jenë më të ndjeshme ndaj infeksioneve respiratore”, tha doktori Krasniqi.
Por, cila janë veprimet që duhet të ndërmarrin të gjitha shtatzënat për t’u mbrojtur nga COVID-19.
“Pastroni duart sa më shpesh me tretësira me bazë alkooli ose me sapun dhe ujë; Mbani distancën me personat tjerë dhe shmangni kontaktet me shumë njerëz; Mos prekni me duar sytë, hundën dhe gojën; Praktikoni higjienën respiratore: mbuloni gojën dhe hundën me një faculetë kur kolliteni apo teshtini dhe hidhni pastaj faculetën në shportën e mbeturinave; Nëse keni temperaturë, kollitje ose vështirësi në frymëmarrje, lajmërohuni menjëherë te mjeku”, këshilloi Krasniqi.
Shtatzënat mund të testohen për COVID-19 nëse kanë simptoma, madje kanë prioritet.
Por, a mund të kalojë virusi nga shtatzënat tek fetusi ose fryt?
“Ende nuk dihet nëse shtatzënat me COVID -19 mund ta përcjellin virusin tek fryti apo foshnja gjatë dhe pas lindjes. Deri më sot virusi nuk është gjetur në lëngun amniotik e as në qumështin e gjirit”, tha Krasniqi.
Mjeku i njohur thotë se shtatzënat me COVID-19 nuk e kanë të domosdoshme të lindin me prerje cezariane, vetëm nëse kanë arsye të tjera shëndetësore.
Një tjetër pyetje e rëndësishme është që, nëse nënat e infektuara duhet të ushqejnë me qumësht gjiri foshnjat e tyre?
“Po. Nënat me COVID-19 mund të ushqejnë me qumësht gjiri foshnjat. Por, duhet të praktikojnë higjienën respiratore, pra të mbuloni gojën dhe hundën me maskë ose faculetë gjatë gjidhënies. Pastroni duart gjithmonë para dhe pasi të prekni ose ta mbani foshnjën dhe të pastroni dhe dezinfektoni rregullisht sipërfaqet që prekni”, përfundoi Krasniqi./Gazeta Sinjali/