image Shqipëria U17 barazon me Irlandën e Veriut - Sinjali

Shqipëria U17 barazon me Irlandën e Veriut

news image

Kombëtarja shqiptare e futbollit U17 ka mbyllur sot pjesëmarrjen e saj në Evropianin e kësaj grupmoshe.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Ervin Bulku nuk ia kanë dalë të shmangin vendin e fundit në grup, por si ngushëllim të vogël kanë faktin se kanë arritur të sigurojnë të paktën një pikë, pikërisht në ndeshjen e fundit.

Pas humbjes 5-0 me Italinë dhe asaj 3-2 me Skocinë, Shqipëria U17 sot ka barazuar 2-2 me Irlandën e Veriut, skuadrën organizatore të minigrupit. Goli i sulmuesit Orsi Ageja i dha avantazhin kuqezinjve në minutën e 34-t, por shifrat u barazuan në fillimin e fraksionit të dytë të lojës, kur për vendasit shënoi Bojd.

Haxhari shënoi në minutën e 66-të të takimit dhe dukej sikur Shqipëria mund të siguronte një fitore për të mbyllur me një sukses këtë pjesëmarrje. Por Keliman gjeti rrugën e rrjetës për vendasit në minutën e 84-t, duke i hequr nga duart kuqezinjve një fitore e cila dukej shumë afër.

Kështu, Shqipëria e mbylli turneun me 1 pikë dhe golavarazhin 4-10, ndërsa Irlanda e Veriut i mori vendin e tretë vetëm falë golavarazhit 4-7. /Gazeta Sinjali Sporti/  


Shpërndaje artikullin