image Shqipëria model i mirë për Kosovën në regjistrimin e popullsisë

Politikë

Shqipëria model i mirë për Kosovën në regjistrimin e popullsisë

news image

Në përmbylljen e Javës së Regjistrimit të Popullsisë 2023, është biseduar me delegacionin e Shqipërisë për përgatitjet e tyre për procesin e regjistrimit.

Drejtoresha e Institutit të Statistikave në Republikën e Shqipërisë Elsa Dhuli, tha se cilësinë e regjistrimit do ta ndihmonte platforma e monitorimit, ku përmes kësaj platforme anketuesi do të monitorohet se a kanë shkuar në të gjitha njësitë ekonomike familjare.

“Ne kemi vendosur kritere për ata që janë punësuar. Ajo çfarë do të na ndihmojë është platforma e monitorimit të cilësisë së punës së anketuesit. Përdorimi i GPS-ve në tablet, i cili identifikon në këtë platformë vajtjen dhe vizitat e anketuesit”, tha Dhuli.

Më tej drejtoresha e Institutit të Statistikave  të Shqipërisë theksoi se nëpërmjet kësaj platforme  verifikojnë që anketuesi ka shkuar në të gjitha njësitë ekonomike familjare që ai ka për të intervistuar. Dhe çdo ditë kjo monitorohet nëpërmjet ngjyrave të ndryshme.

Ilir Berisha, zv. kryeshef ekzekutiv në ASK, tha se ASK-ja i siguron qytetarët se gjithë procesi i regjistrimit do të jetë i paanshëm, profesional, me të dhënat cilësore.

“Ky organizim do të ishte i pa mundur pa përkrahje institucionale, misioneve diplomatike, zyrave ndërkombëtare. Dëshiroj të theksoj gatishmërinë e ASK-së për përkushtim në realizimin e regjistrimit të popullsisë sipas praktikave më të mira shtetërore të standardeve ndërkombëtare mbi regjistrimet të OKB-së dhe Eurostat-it”, tha Berisha.

Zv. Kryeshefi i ASK-së siguron se baza e të gjithë projektit të regjistrimit do të jetë paanshmëria profesionale, të dhënat cilësore, gjithëpërfshirja, mbledhja, përpunimi dhe publikimi i të dhënave statistikore nga shoqëria për shoqërinë e shtetit tonë.

/GazetaSinjali/