image Shqipëria e Kosova të përkushtuara në zbatimin e 13 marrëveshjeve për bashkëpunim

Politikë

Shqipëria e Kosova të përkushtuara në zbatimin e 13 marrëveshjeve për bashkëpunim

news image

13 marrëveshjet e arritura muaj më parë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit po trajtohen nga deputetët e këtyre dy vendeve me një dinamikë të shpejt për ratifikim.

Për këtë ujdi, Shqipëria mbetet e përkushtuar në zbatimin e këtyre marrëveshjeve, sidomos për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe ajo për lehtësimin e procedurave për marrjen e leje qëndrimit të përkohshëm.

Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi deklaron se ka një përshpejtim të madh të gjitha institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës për realizimin e objektivave, dhe vendimeve që janë marrë në mbledhjen e përbashkët të 26 nëntorit në Elbasan.

“Komisionet e ndryshme të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës kanë qenë në lidhje të vazhdueshme për të parë se si mund të zbatohen këto marrëveshje edhe në planin legjislativ. Komisionet e ndryshme kanë qenë në Tiranë, kanë qenë në Prishtinë dhe ajo që është më e rëndësishme, menjëherë pas diskutimeve janë hedhur të gjitha këto ide për t’u kthyer në ligje, në traktate, të cilat në një kohë shumë të shpejt edhe parlamentet e dy vendeve i kanë ratifikuar”.

“Me shumë rëndësi ka qenë miratimi i ligjeve që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të qytetarëve, që do të thotë se lejet e qëndrimit tashmë për shtetasit e Kosovës në Shqipëri dhe shtetasit e Shqipërisë në Kosovë janë bërë efektive. Çdo shtetas që gjen një punë në Kosovë, çdo shtetas që gjen një punë në Shqipëri, automatikisht merr një leje qëndrimi pesë vjeçare. Kjo do të hapë mundësi të reja për sa i përket edhe për zhvillimin e tregut të punës, i cili në të kaluarën ka qenë shumë problematike”, thotë Minxhozi.

Marrëveshje me rëndësi, sipas ambasadorit Minxhozit mbetet edhe ajo për portin e Durrësit, që ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit në fushën e tregtisë dhe ekonomisë.

“Gjithashtu janë rregulluar me vendime të parlamentit edhe pika pikat kufitare midis dy vendeve, lëvizja në territoret që ndajnë Shqipërinë dhe Kosovën. Me vlerë të veçantë është pastaj, edhe marrëveshja në fushën doganore. Pardje, parlamenti i Kosovës ratifikoi dhe nxori udhëzimet përkatëse për pikën doganore që do të hapet në portin e Durrësit. Por, janë edhe disa lehtësira doganore që do të jenë midis dy vendeve, të cilat do t’i shërbejnë nxitjes së ndërsjellë të bashkëpunimit të ndërmarrjeve të ndryshme në fushën e tregtisë dhe ekonomisë”, thekson ai.

Ambasadori Minxhozi deklaron se këtë herë autoritetet e dyja vendeve kanë vullnet që këto marrëveshje të zbatohen në tërësi dhe mos të ngecin së implementuari si në të kaluarën.

Ajo që dua të them është që, në qoftë se përpara kemi pasur një ngadalësi në implementimin e projekteve ose të vendimeve, ose ka pasur raste që edhe nuk kanë gjetur zbatimin ashtu siç është vendosur në mbledhje, kësaj radhe ka një energji të shtuar, ka një komunikim të vazhdueshëm dhe nuk janë të involvuar në këtë rast vetëm qeveritë, por janë edhe parlamentet e dy vendeve, të cilat kanë dhënë një kontribut vyer në këtë drejtim”.

“Shpresoj se kështu do ecim, që të kemi rezultate sa më konkrete, që i shërbejnë një fuqizimi të marrëdhënieve midis nesh dhe pse jo të rriten pastaj edhe ato shifrat e shkëmbimeve tona sidomos në fushën e ekonomisë”, thotë ai për KP.

Minxhozi ka pranuar se ka barriera ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, por shtoi se përderisa ka kufi ka edhe barriera.

Ai thotë se Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës po punojnë ngushtë që të zbuten këto pengesa kufitare.

Ai duke folur edhe për marrëveshjet lidhur me pensionet e Shqipërisë dhe Kosovës, paralajmëron se së shpejti do të arrihen marrëveshjet tjera në fushën e shëndetësisë dhe në sektorin e kulturës.

Ditë më parë, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës ka votuar për ratifikimin e dy marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Marrëveshja e parë ka të bëjë me sigurimet shoqërore, ndërkaq e dyta me lehtësimet doganore mes Kosovës dhe Shqipërisë që do të ndikojë me krijimin e një zyre doganore në Durrës.

Diplomati shqiptar, Minxhozi përmendi edhe bilancin tregtar midis Kosovës dhe Shqipërisë, ku thekson se këmbimet tregtare janë 300 milionë euro në vit, 75 për qind në favor të Shqipërisë.

/GazetaSinjali/