image Gjysma e fuqisë punëtore mund të humbasë: Sfida që pret Kosovën

Politikë

Gjysma e fuqisë punëtore mund të humbasë: Sfida që pret Kosovën

news image

Kosova mund të përballet në dekadat e ardhshme me një transformim demografik që prek drejtpërdrejt një nga shtyllat kryesore të ekonomisë: popullsinë në moshë pune.

Raporti i ri i Agjencisë së Statistikave të Kosovës për parashikimin e popullsisë deri në vitin 2060 tregon se grupmosha 15–64 vjeç pritet të tkurret në mënyrë drastike. Sipas variantit të mesëm, të cilin ASK-ja e paraqet si skenarin më të mundshëm, kjo popullsi mund të bjerë nga rreth 1.08 milion persona në vitin bazë 2024 në afërsisht 580 mijë deri në vitin 2060.

Me fjalë të tjera, Kosova rrezikon të humbasë rreth gjysmë milioni banorë në moshë pune brenda pak më shumë se tri dekadave. Rënia është afërsisht 46 për qind, gati gjysma e bazës demografike prej së cilës sigurohen punëtorët, tatimpaguesit dhe kontribuuesit e ardhshëm në sistemet sociale, shkruan AP.

Kjo nuk do të thotë se Kosova do të humbasë automatikisht gjysmën e punëtorëve të punësuar. Kategoria 15–64 vjeç përfshin të gjithë popullsinë në moshë pune, jo vetëm personat aktivë në tregun e punës. Por pikërisht këtu qëndron pesha e parashikimit. Edhe rezervuari demografik nga i cili formohet fuqia punëtore pritet të zvogëlohet pothuajse përgjysmë.

Të dhënat tregojnë se procesi nuk do të ndodhë vetëm në fund të periudhës. Tkurrja pritet të jetë graduale dhe e vazhdueshme.

Sipas tabelave të ASK-së, popullsia 15–64 vjeç projektohet në rreth 1.06 milion më 2025, për të rënë në rreth 1.01 milion më 2030. Deri më 2040, ajo pritet të zbresë në rreth 872 mijë, më 2050 në afërsisht 725 mijë, ndërsa më 2060 në vetëm 580 mijë persona.

Paralajmërimi nuk lidhet me një ndryshim të largët që mund të shfaqet papritur pas vitit 2050. Sipas projeksionit, Kosova hyn në një proces të vazhdueshëm të zvogëlimit të popullsisë në moshë pune, dekadë pas dekade.

Për një vend që ende mbështetet te perceptimi se ka popullsi të re, ky është një ndryshim rrënjësor.

Në vitin 2024, Kosova kishte moshë mediane prej 35.3 vjetësh, dukshëm më të ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian dhe më të ulët se shumica e vendeve të rajonit. Kjo strukturë i ka dhënë vendit një avantazh potencial: një numër relativisht të madh të të rinjve dhe njerëzve në moshë aktive.

Por raporti i ASK-së sugjeron se ky avantazh mund të jetë i përkohshëm.

Deri në vitin 2060, mosha mediane e popullsisë pritet të arrijë rreth 49 vjet. Në të njëjtën kohë, numri i personave mbi 65 vjeç pritet të rritet ndjeshëm, ndërsa numri i fëmijëve dhe të rinjve të bjerë.

Kështu, Kosova nuk pritet vetëm të ketë më pak banorë. Ajo pritet të ketë një strukturë krejtësisht tjetër të popullsisë.

Një nga arsyet kryesore pse popullsia në moshë pune pritet të zvogëlohet është se gjeneratat e ardhshme do të jenë shumë më të vogla.

ASK-ja parashikon se numri i fëmijëve nën moshën 15 vjeç mund të bjerë nga rreth 353 mijë në vitin 2024 në më pak se 120 mijë deri më 2060. Kjo do të thotë se në dekadat e ardhshme do të ketë gjithnjë e më pak të rinj që kalojnë nga sistemi arsimor në tregun e punës.

Në të njëjtën kohë, fertiliteti pritet të vazhdojë rënien.

Në skenarin e mesëm, norma totale e fertilitetit supozohet të bjerë nga 1.92 lindje për grua në vitin 2024 në rreth 1.3 deri më 2060. Numri vjetor i lindjeve, ndërkaq, pritet të zvogëlohet nga rreth 21.5 mijë në më pak se 7 mijë.

Ky trend krijon një efekt që mund të ndihet për dekada. Më pak lindje sot nënkuptojnë më pak nxënës pas disa vitesh, më pak studentë më vonë dhe, përfundimisht, më pak njerëz që hyjnë në tregun e punës.

Në këtë kuptim, tkurrja e popullsisë në moshë pune nuk është një problem i izoluar i ekonomisë. Ajo fillon shumë më herët – te struktura e familjeve, numri i lindjeve dhe madhësia e gjeneratave të reja.

Faktori tjetër është migrimi.

ASK-ja parashikon se Kosova do të vazhdojë të regjistrojë humbje neto nga migrimi gjatë gjithë periudhës deri më 2060. Në variantin e mesëm, humbja neto vjetore pritet të bjerë nga rreth 21 mijë persona në vitin 2024 në më pak se 11 mijë më 2060.

Edhe ulja e këtij numri nuk është domosdoshmërisht shenjë se emigrimi do të pushojë së qeni problem. Vetë raporti shpjegon se një arsye është fakti se popullsia e ekspozuar ndaj emigrimit do të jetë më e vogël dhe më e moshuar.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për tregun e punës. Migrimi nuk prek të gjitha grupmoshat në të njëjtën mënyrë. Kur largohen njerëz të rinj dhe në moshë aktive, vendi nuk humbet vetëm banorë. Humbet potencial pune, aftësi profesionale, konsumatorë, tatimpagues dhe familje që mund të kishin fëmijë në Kosovë.

Në këtë mënyrë, emigrimi dhe rënia e lindshmërisë mund të ushqejnë njëra-tjetrën.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/