image Rritet deficiti tregtar i Kosovës, ekspertët alarmojnë për varësinë nga importi

Kosovë

Rritet deficiti tregtar i Kosovës, ekspertët alarmojnë për varësinë nga importi

news image

Deficiti tregtar i Kosovës ka shënuar rritje gjatë muajit maj 2026, ndërsa ekspertët e ekonomisë thonë se mungesa e mbështetjes institucionale për prodhimin vendor, kostot e larta të prodhimit dhe politikat e dobëta për eksport po e thellojnë varësinë e vendit nga importet.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti tregtar në maj të vitit 2026 është rritur për 4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke arritur në 544.4 milionë euro, nga 523.4 milionë euro sa ishte një vit më parë. Eksportet kanë mbuluar vetëm 14.7 për qind të importeve.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka vlerësuar se sektori privat po përballet me mungesë të mbështetjes institucionale, ndërsa prodhimet vendore nuk po promovohen sa duhet në tregjet ndërkombëtare.

Sipas tij, Kosova po rrezikon të mbetet një ekonomi e varur nga importi, përderisa nuk ka politika të qarta për fuqizimin e prodhimit dhe eksportit.

“Situata aktuale është shqetësuese, pasi Kosova çdo ditë e më tepër po e vulos fatin për të qenë shtet i varur nga importi. Nuk kemi një trajtim të mirëfilltë për promovimin e prodhimeve dhe shërbimeve vendore”, ka deklaruar Gërxhaliu për EO, transmeton Sinjali.

Ai ka theksuar se rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe problemet me furnizimin kanë ndikuar në konkurrueshmërinë e bizneseve kosovare në tregjet evropiane.

Gërxhaliu ka thënë se shumë produkte “Made in Kosova” po humbin terren në diasporë për shkak të kostove të larta, ndërsa tregjet po furnizohen më shumë nga vende të tjera të Evropës.

Ndërkohë, ekonomisti Bashkim Mustafa e ka lidhur rritjen e deficitit tregtar me mungesën e politikave që stimulojnë prodhimin vendor.

Sipas tij, për shumë biznese është më e leverdishme të importojnë mallra sesa të investojnë në prodhim, për shkak të rritjes së kostove operative.

“Çmimi i energjisë elektrike, fuqia punëtore dhe derivatet kanë rritur kostot e bizneseve. Kjo ka bërë që kompanitë kosovare të mos jenë konkurruese me ato të huaja dhe eksporti të mbetet shumë i kufizuar”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka kërkuar që qeveria e ardhshme të krijojë politika fiskale dhe masa mbështetëse për prodhuesit dhe eksportuesit, përmes subvencionimit të energjisë dhe kostos së fuqisë punëtore.

Sipas ASK-së, në maj 2026 eksporti i mallrave ka arritur vlerën 94.1 milionë euro, ndërsa importi 638.6 milionë euro. Krahasuar me majin e vitit 2025, eksportet janë rritur për 15.7 për qind, ndërsa importet për 5.6 për qind.

Ekspertët vlerësojnë se pa investime në prodhim vendor dhe politika konkrete për rritjen e eksporteve, hendeku mes importeve dhe eksporteve do të vazhdojë të mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë së Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/