Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia, duke bërë shitblerje apo duke konsumuar drogë. Kjo është shndërruar në dukuri shqetësuese, pasi që po cenohet siguria dhe shëndeti i tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se dje dhe sot janë zbuluar katër raste të ndryshme nëpër qytetet e Kosovës dhe prej personave të dyshuar, vetëm njëri ka përfunduar në ndalim policor.
Bëhet fjalë për një person në Ferizaj, i cili është emër i njohur për Policinë si recidivist i veprave penale. Ai kohë pas kohe frekuentonte shkollat në Ferizaj dhe dyshohet se ofronte për shitje substanca narkotike.
Pasi Policia ka rënë në gjurmët e tij, gjatë kontrollit trupor të të dyshuarit, është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, para të gatshme dhe telefonat personalë. Si rrjedhojë, Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në lokacionin e të dyshuarit, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Me urdhër të prokurorit ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’. Ai është ndaluar për 48 orë.
Një rast tjetër është zbuluar në fshatin Hajvali të Prishtinës, ku një veturë është ndalur për kontroll nga një njësi policore që po patrullonte në atë zonë. Brenda veturës ndodheshin katër persona, me ç’rast njëri prej tyre ka tentuar të fshehë sasinë e drogës nën sediljen e shoferit.
Shoferi bashkë me pasagjerët kanë përfunduar në stacion policor, ku tre nga ta janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
Edhe një tjetër qytetar në Prishtinë u kap mat nga Policia me narkotikë. 26-vjeçari u ndal për kontroll nga njësia policore që po patrullonte në rrugën ‘Isa Kastrati’ dhe gjatë kontrollit atij i është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike. Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’
Ndërsa në fshatin Pasjan të komunës së Parteshit, Policia ka hasur në një person i cili posedonte një cigare që dyshohet se ishte e mbështjellë me substancë të dyshuar narkotike të llojait marihuanë. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për veprën ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.