Në secilën ditë Policia e Kosovës raporton për një dukuri të neveritshme e cila nuk po mund të zvogëlohet e aq më pak të zhduket – që është dhuna në familje, shkruan Gazeta Sinjali.
Megjithëse deri vonë janë përmendur shumë faktorë që çojnë në rritjen e këtyre rasteve, së fundmi më së shumti ka ndikuar mbyllja gjatë pandemisë dhe efekti që ka pasur në shëndetin mendor.
Fatkeqësisht, në shumicën e rasteve cak i dhunës në familje janë gratë, që vazhdimisht po dhunohen fizikisht e psiqikisht nga burra e tyre.
Në bazë të raporteve të Policisë, gjatë muajit prill janë shënuar 115 raste të dhunës në familje, ku në 76 prej tyre del të jetë se gratë kanë qenë viktima nga dhuna e bashkëshortëve të tyre, të cilët shpesh ishin të dehur.
Përveç grave si viktima nga bashkëshortët, dhjetë raste janë raportuar për dhunë ndaj prindërve.
Ndërsa, në katër raste, gratë kanë sulmuar bashkëshortët e tyre.
Raporti policor shënon edhe raste tjera të dhunës në familje ku janë të përfshirë: vëlla-motër, vjehërr-nuse, vëlla-vëlla.
Në vitin 2020 ishin raportuar 2 mijë e 69 raste të dhunës në familje, ndërsa në vitin 2021 rreth 2 mijë.