image Shqetësuese: Kosovarët sillen me armë në brez nëpër rrugë, zbulohen edhe dy raste në Prishtinë e Gjilan
[wp-story id="814678"]

Siguri

Shqetësuese: Kosovarët sillen me armë në brez nëpër rrugë, zbulohen edhe dy raste në Prishtinë e Gjilan

news image

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se gjatë ditës së djeshme janë zbuluar edhe dy raste të tilla, ku të dyshuar janë tre persona në Prishtinë dhe Gjilan.

Një 22-vjeçar në lagjen Pejton në kryeqytet, ani pse tentoi që t’u ikë zyrtarëve policorë, sërish ka përfunduar në duart e tyre. Gjatë kontrollit trupor tek i dyshuari është gjetur një amrë zjarri me karikatorë dhe fishekë e po ashtu edhe një thikë.

Armët janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Me urdhër të prokurorit ai është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Një tjetër rast është zbuluar në fshatin Livoç i Epërm në Gjilan, pasi Njësiti i Antidrogës ka kryer bastisje në shtëpinë e dy personave të dyshuar për posedim të substancave të dyshuara narkotike.

Gjatë kontrollit Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, ndërsa dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intërvistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që ndaj të dyshuarve të iniciohet rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe të njëjtit do të hetohen në liri.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

/GazetaSinjali/