image Shpërndanë fletushka proteste ndaj biznesmenit, arrestohen dhe keqtrajtohen 3 studentë në Shqipëri

Politikë

Tiranë/ Shpërndanë fletushka proteste ndaj biznesmenit, arrestohen dhe keqtrajtohen 3 studentë në Shqipëri

news image

Tre aktivistë të Organizatës Politike që shpërndanë fletushka proteste kundër shkarkimit të katër minatorëve në Bulqizë nga kompania Albchrome dhe biznesmenit Samir Mane që zotëron këtë kompani, u arrestuan nga Policia të shtunën.

Disa aktivistë të Organizatës Politike u ndaluan fillimisht nga rojet e sigurisë private në qendrën tregtare TEG, pasi hodhën fletushka me përmbajtjen “Samir Mane shtyp minatorët” dhe më pas u shoqëruan nga policia. Ndërsa disa nga të ndaluarit u liruan pas 7 orësh shoqërimi, aktivistët: Frenkli Elini, Enriko Peçuli dhe Bislim Lakna u arrestuan të shtunën.

Një zëdhënëse e policisë së Tiranës i tha BIRN se ata akuzoheshin për “përhapje të informatave të rreme që ngjallin panik” dhe “prishje të qetësisë publike”.  Ndërkohë Prokuroria e Tiranës pranoi se kishte marrë rreth orës 15.00 referimin e policisë, por tha se materialet në ngarkim të tyre nuk ishin shqyrtuar ende.

Organizata Politike reagoi duke akuzuar policinë për dhunë dhe se nuk kishte lejuar avokatët të takonin të arrestuarit dhe as bërjen e ekspertizës mjeko ligjore për të dokumentuar dhunën e ushtruar ndaj tyre. “Policia e Edi Ramës po pengon avokatët që të takojnë aktivistët e arrestuar. Pavarësisht se djemtë janë maxhorenë, kërkohet deklaratë noteriale nga familjarët e të arrestuarve”, thuhet në një deklaratë të OP-së në faqen në Facebook pas ndalimit të tre aktivistëve.

OP po ashtu akuzoi rojet private të sigurisë në TEG për dhunë ndaj aktivistëve, ata thanë se ishin tërhequr zvarrë, ishin sharë dhe goditur prej rojeve private. OP postoi në faqen e saj video të hedhjes së fletushkave dhe një video që tregon disa punonjës të sigurisë të ndalojnë dhe më pas tërheqin duke mbajtur nga krahët dhe këmbët aktivistët.

Në një reagim përmes një zëdhënësi të grupit BALFIN, qendra tregtare mohoi se ndaj të rinjve që kishin shpërndarë fletushka ishte ushtruar dhunë, madje sipas tyre aktivistët kishin kafshuar një nga rojet e sigurisë. Zëdhënësi pretendoi se akti ishte i paramenduar dhe e cilësoi atë “aktivitet dëmtues”.

“TEG është pronë private dhe jo arenë aktivitetesh individësh të ndryshëm. Është objekt social i rëndësisë së veçantë për shkak se grupon shumë njerëz dhe biznese, ndaj për ruajtjen e tij ka tiparë të veçanta, private apo publike”, thuhet në reagimin e TEG.

Policia nuk i komentoi akuzat për dhunë dhe për ndalim të kontaktit me avokatët.

Organizata Politike prej javësh proteston krahas Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës kundër shkarkimit të katër minatorëve, përfshi kreun e kësaj sindikate të sapo krijuar. Sindikata ka akuzuar kompaninë së ka bërë shkarkimit në formë presioni për të penguar organizimin sindikal. Ndaj shkarkimve u filluan hetime prej Inspektoriatit të Punës, por rezultatet e hetimeve nuk janë bërë ende publike.

Pas një proteste në Bulqizë, gjatë të cilës po ashtu pati përplasje me policinë, OP ndërmori një fushatë parrullash në mure të kryeqytetit dhe fletushkash në të cilat akuzohet Samir Mane, zotëruesi i grupit “Balfin”, i cili ka në kontroll edhe kompaninë Albchrome, se po synon të shtypë sindikatën. Albchrome iu ka mohuar akuzat dhe pretendon se shkarkimet janë bërë për shkak të mungesave të paarsyetuara në punë.

Arrestimi i aktivistëve është shoqëruar me reagime të ashpra në rrjetet sociale dhe pak media online.

https://www.facebook.com/orgpol/videos/1013839522327509/?t=0
https://www.facebook.com/orgpol/videos/557665438120871/?t=0