image Shpejtim Bulliqi demarkon kufirin me LDK-në

Kosovë

Shpejtim Bulliqi demarkon kufirin me LDK-në

news image

Shpejtim Bulliqi ka demarkuar kufijtë me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai braktisi partinë menjëherë pasi Isa Mustafa u rizgjodh kryetar.

Gazeta Sinjali

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, i ka paraprirë një “déjà vu-je” të mundshme rreth fatit të tij për zgjedhjet e reja parlamentare. Për Shpejtim Bulliqin, udhëheqësia e LDK-së nuk e rezervoi as edhe numrin e fundit “110” në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit 2017. Mospërfshirja në listën e deputetëve, sipas Bulliqit, kishte ndodhur për shkak të pretendimeve se Kosova humb territor në demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Shpejtim Bulliqit nuk ia aprovoi partia as ambicien e vazhdueshme për kandidat për kryetar të Podujevës. Thoshte se do të kandidonte si i pavarur por as këtë nuk e bëri. Si zakonisht, për Podujevën garoi Agim Veliu, i cili i solli fitore në raundin e parë partisë së Isa Mustafës.

Demarkacionit ia pa hairin Bulliqi, kur në pushtet erdhi Ramush Haradinaj. Ky i fundit e shkarkoi Murat Mehën dhe emëroi Shpejtim Bulliqin kryesues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi. Vendimi i Haradinajt u cilësua si populist nga zyrtarët e LDK-së. Çështja e demarkacionit me Malin e Zi u harrua shpejt, rreth një vit më parë, kur edhe u miratua në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë ditës së diel, Gazeta Sinjali ka pyetur Shpejtim Bulliqin nëse e ka ndërmend të hyjë në ndonjë parti politike apo me LDK-në i ka dhënë fund aktivitetit të tij politik, por ai nuk ka qenë i gatshëm të flasë. Edhe përkundër insistimit të Sinjalit për të marrë një përgjigjje ka thënë se “ndodhet në pushime”.

Dje, në një prononcin dhënë mediave, Bulliqi ka konfirmuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në LDK.

“Po kam dhënë dorëheqje. Është dorëheqje e parevokueshme e imja, pas një pune 30-vjeçare në këtë parti kam dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat e LDK-së”, ka thënë Bulliqi.

Ende nuk dihet nëse ai do t’i bashkohet ndonjërës prej partive politike pasi aderimet kanë filluar që nga dita kur Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja.

Burime të besueshme të Sinjalit brenda AAK-së thanë se dorëheqja e Bulliqit nga strukturat e LDK-së është bërë për shkak se ai shpejt mund të aderojë në AAK./Sinjali/