Në nisje të sezonit turistik Policia Rrugore është në terren dhe ka blinduar akset rrugore nacionale dhe urbane duke përdorur mjetet inteligjente.
Nga Rruga e Kombit, Hani i Hotit deri në Sarandë, radarë automatikë, makina inteligjente, Poliscan dhe dronë edukues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Janë pezulluar 155 leje drejtimi si dhe janë vendosur 2125 masa administrative për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Ndërkohë, nga kontrollet janë konstatuar shpejtësi jashtë normave që fillonin nga 154 km/h e deri në 203 km/h.
Njoftimi i policisë:
Policia Rrugore/Intensifikohen kontrollet në të gjitha akset rrugore nacionale dhe urbane duke përdorur mjetet inteligjente.
Nga Rruga e Kombit, Hani i Hotit deri në Sarandë, radarë automatikë, makina inteligjente, Poliscan dhe dronë edukues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Si rezultat i monitorimeve, gjatë 48 orëve të fundit janë konstatuar shpejtësi që varionin nga:
– 154 km/h deri në 167 km/h në rrugën e Kombit;
– 203 km/h deri në 230 km/h në autostradën Laç-Milot;
– 137 km/h deri në 141 km/h në rrugën interurbane kryesore Çermë-Lushnjë.
Janë pezulluar 155 leje drejtimi si dhe janë vendosur 2125 masa administrative për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Nisur nga fluksi i shtuar në fundjavë, drejt zonave bregdetare dhe turistike, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin kanë intensifikuar monitorimin e qarkullimit të automjeteve në të gjitha akset rrugore nacionale, ato kryesore rurale dhe në qendrat urbane, duke përdorur radarët automatikë, makinat inteligjente, dronët edukues dhe kamerat, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Janë konstatuar parakalime të gabuara dhe të rrezikshme, burim i lartë për përfshirje në ngjarje rrugore, shpejtësi mbi normat e lejuara, drejtues automjetesh që përdorin aparatin celular gjatë drejtimit te automjeteve, drejtues automjetesh që nuk vendosin rripin e sigurimit etj.
Janë ndëshkuar me masë administrative:
– 553 drejtues automjetesh për parakalime të gabuara;
– 598 për shpejtësi mbi normat e lejuara por pa sanksionin plotësues atë të pezullimit të lejes së drejtimit;
– 334 për mosvendosje të rripit të sigurimit;
– 513 për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të automjetit;
– 127 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.
Janë konstatuar nga Poliscan, makinat inteligjente dhe radarët automatikë, me shpejtësi mbi normat e lejuara dhe iu është pezulluar leja e drejtimit, me afat nga 3 deri në 12 muaj, 123 drejtuesve të automjeteve, duke filluar nga rruga e Kombit deri në Sarandë.
Po gjatë monitorimeve dhe kontrolleve me përzgjedhje, bazuar dhe në analizat e riskut, shërbimet e Policisë Rrugore kanë pezulluar 21 leje drejtimi, me afat nga 2 deri në 18 muaj, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 11 për qarkullim në sens të kundërt.
Gjithashtu kanë ndëshkuar me masë administrative për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, por pa sanksion plotësues, 48 drejtues mjetesh.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha rrugët monitorohen nga mjetet inteligjente dhe patrullat e lëvizshme të Policisë Rrugore.
Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.