image Shoqata e Gastronomëve kërkojnë që t’u lejohet veprimtaria 'delivery' pas orës 19:00

Biznes

Shoqata e Gastronomëve kërkojnë që t’u lejohet veprimtaria ‘delivery’ pas orës 19:00

news image

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve të Republikës Kosovës që t’u lejohet gastronomisë veprimtaria e dërgesave me porosi edhe pas orës 19:00, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo kërkesë vjen pasi në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës të 11 nëntorit, ndalohet veprimtaria e gastronomisë nga ora 19:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit në komunat e rrezikshmërisë së lartë.

Gastronomët përmes një postimi në Facebook thonë se me këtë vendim nuk ndalohet shërbimi me porosi “Delivery”, e ky shërbim lejohet në zonat komunale tjera.

“Shërbimet ‘delivery’ jo vetëm që nuk paraqesin rrezik për shpërndarje të virusit, por edhe ndihmojnë njëkohësisht ata të cilët, prej orës 19:00 deri në orën 05:00, janë në vijën e parë të frontit në luftimin e kësaj pandemie (nga të cilët kemi presion si shoqatë që të kërkohet që të lejohet një shërbim i tillë), mjekët me stafin e tyre, policinë e shtetit, dhe institucione të tjera përkatëse të cilët kanë nevojë të porosisin ushqim gjatë këtij orari. Krahas kësaj, ndihmohen edhe nënat tona, të cilat përveç punës së tyre, po kryejnë edhe punën e mësueses dhe kujdestares. Përfundimisht, ne bëjmë shpërndarje të konsumit esencial – ushqimit”.

“Lejimi i shërbimeve të dërgesës me porosi (delivery) pas orës 19:00, edhe në komunat me rrezikshmëri të lartë, mundëson një qasje në shërbime të sigurta lidhur me mospërhapjen e infeksionit të COVID-19, dhe ndikon në uljen e ndikimit negativ të pandemisë në ekonomi”, thuhet nga Shoqata e Gastronomëve. “Shoqata e Gastronomëve të Kosovës mbetet e zotuar që të ofrojë përkrahjen e parezervë për sektorin e gastronomisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, duke ofruar shërbimet e saj profesionale për tejkalimin e kësaj krize, si dhe për ofrimin e alternativave më të përshtatshme që efektet e kësaj krize të manifestohen me pasoja sa më të vogla. Me mirëkuptim dhe bashkëpunim, presim përgjigje lidhur me shqyrtimin e kësaj kërkese, duke ju lutur që të aprovoni të njëjtën”, thuhet tutje.

Po ashtu, Gastronomët  u shprehën se sa i përket ndikimit të pandemisë në aspektin ekonomik, është evidente që gastronomia është sektori më i goditur në vend.

“Sipas të dhënave të Agjensionit Statistikor të Kosovës (ASK), të hyrat dhe qarkullimi i sektorit të gastronomisë në krahasim me vitin 2019 dhe 2020, vetëm në tremujorin e dytë (TM2), rezultojnë të kenë pasur rënie prej 64%, si asnjë sektor tjetër në Kosovë. Nga dy sondazhe të bizneseve dhe punëtorëve të raportit hulumtues të ndikimit të pandemisë në gastronomi të përgaditur nga SHGK dhe Korb Marketing&Research, kemi të raportuar që 36% e bizneseve të gastronomisë, janë detyruar që të largojnë nga puna punëtorët e tyre si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe problemeve të likuiditetit. Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk mund ta mbijetojnë këtë situatë dhe 56% e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna”, thuhet në njoftimin e Gastronomëve.

/Gazeta Sinjali/