Policia e Tiranës ka zbuluar detaje nga një aksident i ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Konferenca e Pezës”, ku automjeti i drejtuar nga një grua u përplas me bordurat anësore dhe një pemë.
Sipas autoriteteve, mjeti drejtohej nga një 22-vjeçare në gjendje të dehur.
Shoferja që nuk posedonte as leje drejtimi ka refuzuar t’i bindet urdhrit për ndalim të efektivëve dhe është larguar me shpejtësi, duke humbur më pas kontrollin e mjetit.
“Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan S. D., 22 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi me datë 27.05.2023, rreth orës 23:50, është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur. 22-vjeçarja nuk i është bindur urdhrave të shërbimeve të Policisë për të ndaluar por ka vazhduar lëvizjen dhe në rrugën “Konferenca e Pezës”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga”, njofton Policia e Shqipërisë.
Si pasojë janë dëmtuar drejtuesja e mjetit dhe pasagjeri që ndodhej me të, shtetasi E. Q., 25 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.