Aleksandar Arsenijoviq që tashmë është certifikuar si kandidat për kryetar të Mitrovicës Veriore, ka publikuar një video shokuese nga Leposaviqi.
Në videon që ka publikuar Arsenijoviq, shihet momenti kur një qytetar goditet nga një veturë që po lëvizte derisa shoferi madje edhe e incizon veprimin e tij.. Arsenijoviq ka thënë se kjo gjë ka ndodhur para stacionit të Policisë.
Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar për Gazetën Sinjali se për rastin janë informuar nga rrjetet sociale.
Besim Hoti, u. d i drejtorit të Policisë Rajonale në Mitrovicën e Veriut u shpreh se rasti është “i panjohur” dhe se “nuk dihet koha se kur ka ndodhur rasti”.
Arsenijoviq kishte shkruar në Facebook se është i tmerruar nga ky rast teksa shpreson që i dyshuari të përgjigjet për këtë vepër.
“Më tmerron skena e komunës së Leposaviqit ku një burrë (nëse mund të quhet kështu) shkel një njeri në rrugë në mungesë të policisë, duke plotësuar disa nga tekat e tij personale. Shpresoj që një ditë të përgjigjet për këtë krim!”, ka shkruar ai në mbishkrimin e videos.