Nuk janë të rralla rastet që trajtohen nga organet e rendit sa i përket dëmtimit të varrezave. Kjo vepër sanksionohet edhe me Kod Penal, i cili parasheh që kushdo që pa autorizim gërmon, rrënon, heq, dëmton, shkatërron ose përdhos ndonjë vendvarrim të dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë kanë nisur hetimet ndaj një personi në fshatin Gjocaj të Junikut, pasi i njëjti dyshohet se kishte angazhuar disa punëtorë që të punon në një tokë, ku për pasojë ishin dëmtuar dy varreza.
Rasti u denoncua në Polici nga një qytetar, i cili raportoi se për shkak të punimeve që kishte urdhëruar i dyshuari, janë zhvendosur varrezat e gjyshërve të tij në atë fshat.
Si rezultat i raportimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë në lidhje me rastin. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar hetimin e rastit në procedurë të rregullt.