image Shkon në mbi 46.000 numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi e Siri

Botë

Shkon në mbi 46.000 numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi e Siri

news image

Më shumë se 46 mijë njerëz kanë vdekur nga tërmeti që i goditi Turqinë dhe Sirinë në fillim të këtij muaji, ndërsa rreth 264 mijë banesa në Turqi janë shkatërruar e shumë njerëz ende janë të zhdukur.

Përderisa Turqia po mundohet që ta menaxhojë fatkeqësinë më të rëndë në periudhën moderne, po shtohet shqetësimi për viktimat e tragjedisë në Siri. Programi Botëror i Ushqimit po u bën presion autoriteteve në pjesën veriperëndimore të Sirisë që ta ndërpresë bllokimin e qasjes në zonat ku synon që të dërgojë ndihma për të ndihmuar qindra mijëra njerëz të goditur nga tërmeti.

Dymbëdhjetë ditë pas tërmetit, punëtorët nga Kirgizia u munduan që të shpëtonin një familje 5-anëtarëshe nga rrënojat e një ndërtese në qytetin Antakia, në jug të Turqisë, raporton agjencia “Reuters”.

Tre persona, përfshirë një fëmijë, u shpëtuan të gjallë. Nëna dhe babai mbijetuan, por fëmija vdiq më vonë nga dehidrimi, tha ekipi i shpëtimit. Një motër dhe binjaku i foshnjës kishin vdekur.

Numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi ka shkuar në 40 mijë e 642, ndërsa në Sirinë fqinje raportohet për më shumë se 5 mijë e 800 viktima.

Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca, tha të shtunën se edhe pse ka pasur shtim të infeksioneve intestinale dhe të frymëmarrjes, numrat nuk paraqesin rrezik serioz për shëndetin publik, duke shtuar se janë ndërmarrë masa për ta vëzhguar dhe parandaluar përhapjen e mundshme të sëmundjeve.

/GazetaSinjali/