image Shkon në Kuvend Projektligji për tërheqjen e 30% të mjeteve nga Trusti, Haxhiu fton deputetët që ta votojnë

Financa

Shkon në Kuvend Projektligji për tërheqjen e 30% të mjeteve nga Trusti, Haxhiu fton deputetët që ta votojnë

news image

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka bërë të ditur se Projektligji që mundëson tërheqjen e deri 30 për qind të kursimeve pensionale tani është në duart e deputetëve.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haxhiu, i cili ka iniciuar këtë Projektligj, ka ftuar të gjithë deputetët pa dallim partie që ta mbështesin këtë kërkesë të qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.

“Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe me integritet do të mbështesin këtë Projektligj që është kërkesë e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.

Tërheqja e Trustit ka gjetur mbështetjen e partive opozitare. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë pro tërheqjes së re nga Trusti, por mbështetje nuk ka gjetur edhe te partia që udhëheq me vendin.

Qeveria më 21 prill kishte dalë kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti, pasi sipas saj është e dëmshme për ekonominë dhe nuk i ndihmon kategoritë në nevojë.

Këtë e konfirmoi sërish të martën ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se kjo do ta rriste më shumë inflacionin dhe do të pësonin familjet e varfra.

Megjithatë, Haxhiu i PDK-së kishte deklaruar ditë më herët se edhe disa deputetë të VV-së i kanë thënë që do ta votojnë tërheqjen e Trustit, duke besuar se do t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për ta miratuar këtë Projektligj.

/GazetaSinjali/