Një shkencëtar turk ka arritur të izolojë me sukses koronavirusin e ri (COVID-19), në përpjekje për të prodhuar një vaksinë kundër kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse, e cila në mbarë globin ka vrarë pothuajse 68 mijë persona, shkruan Anadolu Agency.
“Drejtori i Institutit të Bioteknologjisë të universitetit tonë, Prof. Dr. Aykut Özkul, arriti me sukses të izolojë virusin SARS-COV-2, gjë që është hapi i parë i prodhimit të serumit, vaksinës dhe ilaçeve kundër koronavirusit”, shkroi në një postim në twitter Universiteti i Ankarasë.
Ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank, gjatë javës së kaluar njoftoi publikun se gjithsej 24 universitete dhe tetë njësi publike të hulumtimit e zhvillimit me qindra studiues po punojnë për të prodhuar një vaksinë kundër virusit COVID-19.
Pasditen e djeshme, Turqia njoftoi se numri i vdekjeve nga koronavirusi në vend arriti në 574, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara në mbi 27 mijë. /Gazeta Sinjali/