image Shkencëtarët: Vaksina kundër koronavirusit do të vijë shumë më shpejt sesa pritej

Shëndetësi

Pandemia/ Shkencëtarët: Vaksina kundër koronavirusit do të vijë shumë më shpejt sesa pritej

news image

Duke marrë parasysh se tashmë provat klinike janë në zhvillim e sipër, shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit thonë se një vaksinë për COVID-19 mund të jetë e gatshme shumë më shpejt sesa pritej. Ekspertët e shëndetit global që morën pjesë në një diskutim virtual të organizuar nga Zëri i Amerikës folën mbi provat klinike për vaksinën dhe ndikimin afatgjatë të virusit në shoqëri.

Me qindra prova klinike për një vaksinë po zhvillohen në garën globale për të luftuar Covid-19, dhe ekspertë ndërkombëtarë të shëndetësisë që morën pjesë në një diskutim virtual të organizuar nga Zëri i Amerikës thonë se ata tani kanë më shumë shpresë.

“Ne kurrë nuk kemi patur një ndërhyrje të shkencës së përparuar për të parandaluar një pandemi të re si tani. Prandaj, unë mbetem optimist se diçka do të zbulohet”, thotë Dr. Boris Lushniak nga Fakulteti i Shëndetësisë në Unviersitetin e Merilendit.

Shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit thonë se kanë bërë përparime në përpjekjet për gjetjen e një vaksine. Ata po tejkalojnë afatet e parashikuara për vaksinat, duke përdorur një metodë vaksinimi të ngjashme me ato të përdorura në provat e mëparshme që nuk janë të dëmshme për njerëzit. Tani po bëhen provat klinike në njerëz.

Duhet të ketë shumë kujdes, në mënyrë që të mos paraqesim rrezik në shoqërinë tonë. Por ky informacion i fundit nga Universiteti i Oksfordit është në fakt shumë inkurajues. Ende shpresojmë se do të kemi diçka të duhur sa i përket terapive të mundshme, ilaçeve, ose trajtimeve të tjera”.

Për shoqërinë, ndryshimet që mund të presim në të ardhmen mund të ndikojnë aktivitetet si frekuentimi i restoranteve apo udhëtimet ndërkombëtare.

Ju mund të merrni një vendim sot dhe të blini bileta për të shkuar diku, por unë mendoj se ndoshta nuk do të jetë më kështu. Pra, do të duhet më shumë planifikim për udhëtimet dhe në të ardhmen do të ketë më shumë kufizime të zbatuara nga vendet që presin shumë vizitorë”, thotë Dr. Chang-Chuan Chan, Universiteti i Tajvanit.

“Pasi të hapemi, bota do të jetë padyshim e ndryshuar për të gjithë sepse duhet të vazhdojmë distancimin fizik derisa të jetë gati një vaksinë. Vaksina është e vetmja kurë për këtë sëmundje. Derisa 60 deri në 70 për qind e popullatës të imunizohet me këtë vaksinë, ne do të jemi të rrezikuar”, thotë Dr. Priteema Chanana nga Instituti i Kërkimeve Fortis Memorial.

Edhe mënyra se si do të punojmë është duke ndryshuar si rezultat i pandemisë.

Do të shohim shumë më tepër njerëz që punojnë nga shtëpia. Ne kemi bërë disa sondazhe rreth kësaj çështje. Shumë më tepër njerëz, rreth 80 për qind e njerëzve janë duke punuar nga shtëpia tani krahasuar me më pak se 10 për qind që punonin rregullisht nga shtëpia para pandemisë. Dhe është interesante se të gjithë duan të vazhdojnë ta bëjnë këtë”, thotë Kate Liz Stern, Presidente e kompanisë Global Workplace Analytics

Shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit thonë se vaksina e tyre kundër koronavirusit mund të jetë gati që në shtator, ndërsa edhe laboratorë të tjerë janë duke shtuar provat e tyre klinike. Ky është një lajm i mirë për miliona njerëz në mbarë botën që po përgatiten për një normalitet të ri pas periudhës së koronavirusit./VOA