image Shkencëtarët në garë për vaksinën e re kundër koronavirusit

Botë

Shkencëtarët në garë për vaksinën e re kundër koronavirusit

news image

Një virus i ri vdekjeprurës, mijëra të infektuar, s’ka vaksinë e as kurë. Bota e ka përjetuar jo pak herë një situatë të tillë, ndërsa vetëm në 5 vitet e fundit është përballur me epidemi si ajo e ebolës, zikës, mersit dhe Sarsit. Por ndryshe nga rastet e mëparshme, ku u deshën vite për krijimin e një vaksine, përpjekjet për gjetjen e antidotit të koronavirusit të ri nisën menjëherë pas identifikimit të tij.

Autoritetet kineze e zbuluan kodin gjenetik të virusit shumë shpejt. Informacioni i ndihmon shkencëtarët të përcaktojnë se nga ka ardhur virusi, si mund të ndryshojë apo zhvillohet ai, si dhe si t’i mbrojnë njerëzit. Me ndihmën e pajisjeve të avancuara teknologjike dhe përkushtim më të madh nga qeveritë rreth botës, laboratorë rreth botës hynë në garë për krijimin e një vaksinë.

Në laboratorin “Inovio”, në San Diego, shkencëtarët po përdorin një lloj të ri teknologjie, e cila do t’u mundësojë të nisin testet e para tek njerëzit në fillim të verës.

“Pasi Kina na ofroi sekuencën e virusit, ne ishim ne gjendje të ideonim një vaksinë brenda 3 orëve. Vaksinat përdorin sekuenca të ADN-së nga virusi për të shënjestruar pjesë specifike të patogjentit. Kjo, sipas nesh, do të bëjë që trupi të prodhojë një kundërpërgjigje më të fortë”, tha Kate Broderick, zv. Presidente e Kërkimeve dhe Zhvillimit në Inovio.

Nëse eksperimentet fillestare do të rezultojnë të suksesshme, do të pasojnë testet me spektër më të gjerë, mundësisht nga fundi i vitit. Është e pamundur të parashikohet nëse epidemia do të ketë përfunduar deri atëherë, por nëse gjërat shkojnë sipas planit, kjo do të ishte vaksina e re më e shpejtë, që është krijuar dhe testuar në situatë epidemie.

Gjithashtu, universiteti i Queensland po punon për një vaksinë molekulare, ashtu si Moderna Incorporated në Masachusets, e cila ka bashkuar forcat me Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive në SHBA, për të përshpejtuar procesin. OBSH po koordinon iniciativat globale për krijimin e një vaksine të re./Gazeta Sinjali/