Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka udhëzuar Policinë e Kosovës për të hetuar rastin ku një qytetar ka xhiruar veten duke e shkelur me veturë një këmbësor në Leposaviq.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
“Prokuroria Themelore e Mitrovicës menjëherë ka kontaktuar dhe udhëzuar Policinë e Kosovës që rasti të hetohet dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore sipas ligjit, për verifikimin e rrethanave dhe ndriçimin e këtij rasti, përfshirë identifikimin e personit të dyshuar – vozitësit të automjetit, këmbësorit që është shkelur me veturë, intervistimin e personit që e ka publikuar videon dhe personat tjerë që kanë njohuri lidhur me rastin. Po ashtu, të verifikohet koha, vendi, motivi dhe rrethanat tjera relevante lidhur me rastin”, tha ai në përgjigjen për Sinjalin.
Ndryshe, Aleksandar Arsenijoviq që tashmë është certifikuar si kandidat për kryetar të Mitrovicës Veriore, ka publikuar një video shokuese nga Leposaviqi.
Në videon që ka publikuar Arsenijoviq, shihet momenti kur një qytetar goditet nga një veturë që po lëvizte derisa shoferi madje edhe e incizon veprimin e tij.. Arsenijoviq ka thënë se kjo gjë ka ndodhur para stacionit të Policisë.
Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar për Gazetën Sinjali se për rastin janë informuar nga rrjetet sociale.
Besim Hoti, u. d i drejtorit të Policisë Rajonale në Mitrovicën e Veriut u shpreh se rasti është “i panjohur” dhe se “nuk dihet koha se kur ka ndodhur rasti”.
Arsenijoviq kishte shkruar në Facebook se është i tmerruar nga ky rast teksa shpreson që i dyshuari të përgjigjet për këtë vepër.
“Më tmerron skena e komunës së Leposaviqit ku një burrë (nëse mund të quhet kështu) shkel një njeri në rrugë në mungesë të policisë, duke plotësuar disa nga tekat e tij personale. Shpresoj që një ditë të përgjigjet për këtë krim!”, ka shkruar ai në mbishkrimin e videos.