Është shkatërruar një rrjet shpërndarësish droge pas një operacioni të gjerë që po zhvillohet këtë të enjte në Tiranë dhe disa qytete të tjera të Shqipërisë. Siç raportojnë mediat shqiptare, Prokuroria e Tiranës ka firmosur të paktën 112 urdhërarreste dhe deri më tani janë ekzekutuar 70 prej tyre.
Po ashtu, deri në këto momente, raportohet të jenë sekuestruar mbi 3 kg kokainë. Ndërkohë gjatë operacionit është konstatuar edhe një lloj droge e re e cila vinte nga jashtë, kryesisht me postë.
Gjithashtu bëhet e ditur se janë kapur qindra doza kanabisi dhe janë sekuestruar shuma të mëdha parash. Në këtë veprimtari kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, mësohet se ka edhe vajza të përfshira.
Përveç Tiranës, operacioni është zhvilluar edhe në qytete të tjera ku forcat e RENEA dhe FNSH kanë kryer kontrolle në Elbasan, Fier, Durrës, Korçë, etj.
Në Durrës deri më tani raportohet për të paktën 20 të arrestuar, ndërsa në Korçë të paktën 18.
Hetimet për rastin kanë nisur afro 6 muaj më parë. Autoritetet mësohet e kanë dokumentuar këtë aktivitet kriminal me përgjime, duke i mbajtur në vëzhgim anëtarët dhe një pjesë edhe me blerje të stimuluara.