image Shkarkohet kryeministri i Pakistanit, mik dhe mbështetës i Putinit

Botë

Shkarkohet kryeministri i Pakistanit, mik dhe mbështetës i Putinit

news image

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, është shkarkuar sot nga posti nga një votë mosbesimi, ku 174 nga 324 deputetë të Parlamentit të Pakistanit kanë votuar pro rrëzimit të tij.

Vetëm pak ditë më parë, Khan kishte arritur me sukses që ta bllokonte një votë mosbesimi ndaj tij. Bllokimi i mëhershëm i një procesi të tillë u shpall jo kushtetues nga Gjykata Supreme, raporton Al Jazeera.

69-vjeçari Khan mori pushtetin në vitin 2018 me ndihmën e ushtrisë, por së fundmi ai humbi shumicën, pasi që aleatët e tij politikë dolën nga koalicioni qeveritar.

Kritikat ndaj tij ishin për dështim në ringjalljen e ekonomisë, të rrënuar nga pandemia COVID-19, si dhe në luftimin e korrupsionit.

Khan njihet edhe për afërsinë e tij me presidentin rus Vladimir Putin. Së fundmi ai është lavdëruar publikisht nga Moska për mosnënshtrim ndaj SHBA-së e për më tepër, ai kishte zhvilluar një vizitë zyrtare në Rusi në fillimet e pushtimit në Ukrainë.

Khan, gjatë kësaj vizite, është pritur nga Vladimir Putin.

/GazetaSinjali/