Banorët e 30 shtëpive në rrugën “Shani Pallaska”, e cila ndodhet në afërsi të qendrës së qytetit të Gjakovës, pothuajse çdo ditë, për vite me radhë po përballen me vështirësitë të cilat po ua sjellë kjo rrugë, raporton Gazeta Sinjali.
Fakti se ankesat e kërkesat e pandalshme për rregullimin e infrastrukturës së saj, e cila do t’ia lehtësonte jetesën qytetarëve të cilët jetojnë aty, nuk po merren parasysh, po i shqetëson tejet shumë banorët.
Ali Pepshi, banor i kësaj lagje ka thënë se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për rregullimin e kësaj rruge, të njëjtit po neglizhohen nga Komuna.
Ai ka shtuar se kjo lagje ka mbetur e vetmja pa u asfaltuar, teksa shton se problemet me të cilat përballen janë pluhuri si dhe vështirësimi i çarkullimit kur ka reshje shiu.
“Lagja jonë është e vetmja me rrugë të pa asfaltuar. Kemi problem me pluhur, e kur ka reshje, vështirësohet shumë çarkullimi”, tha ai.
Banorët kanë dërguar edhe pamje të bëra sot gjatë ditës, vetëm pak minuta pas reshjeve të shiut.