image Veseli e mban premtimin, e 'nginë' SHIK Kuvendin e Kosovës

Kosovë

Rezultati/ Veseli e mban premtimin, e ‘nginë’ SHIK Kuvendin e Kosovës

news image

Ish-shefi i Shërbimit Iformativ të Kosovës (SHIK), tani shef i Partisë Demokratike të Kosovës, duket se po e mbanë premtimin, kur para dy vitesh, si kryetar i Kuvendit, i thoshte Driton Selmanajt të LDK-së se “kam me ju ngi SHIK”.

“Kam me ju ngi SHIK këtë mandat, kemi me shku deri ne fund. Mos bëj tani ciu ciu ciu”, thoshte Veseli në vitin 2017.

Këtë premtim ai e përsëriti edhe në vitin 2019.

“Kemi kohë dhe kemi me bisedu. Ju kam thënë edhe një herë: kam me i ngi te tanë me SHIK”, theksonte Veseli në një intervistë në maj të këtij viti.

Kryetari i PDK-së nuk do të jetë ish-udhëheqësi i vetëm i këtij shërbimi që do të jetë deputet në Kuvendin e Kosovës. Bashkë me të, deputetë nga radhët e kësaj partie do të jenë edhe 4 ish-anëtarë të SHIK-ut, shkruan Gazeta Sinjali.

Veseli ka fituar 146 mijë e 763 vota, dhe megjithëse ishte kandidat për kryeministër, do të jetë vetëm deputet.

Edhe ish-zëvendësi i Veselit në SHIK, Elmi Reçica, është rizgjedhur deputet. Ai ka marrë 17 mijë e 946 vota.

Reçica ishte pjesë e Kuvendit të Kosovës në disa mandate, derisa ka udhëhequr edhe komisione paralamentare.

Bekim Haxhiu, gjithashtu anëtar i dikurshëm i SHIK-ut, është zgjedhur përsëri deputet, duke marrë 10 mijë e 538 vota.

1 mijë e 191 vota më pak se Haxhiu i ka marrë ish-shefi i Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar në SHIK, Fatmir Xhelili, duke arritur të bëhet përsëri pjesë e Kuvendit.

Këtyre deputetëve të rizgjedhur të PDK-së i është shtuar edhe Ferat Shala, i cili do të ulet për herë të parë në karrigen e deputetit.

Shala ka udhëhequr me Drejtorinë Kundër-Zbulim në SHIK. Ai është radhitur i katërti prej më të votuarve në listën e PDK-së, duke marrë 18 mijë e 334 vota.

Ndonëse numri i ish-anëtarëve të SHIK-ut që do ta përfaqësojnë PDK-në në Kuvend është rritur, ata do të jenë në opozitë.

Partia e ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, ka pësuar disfatë të thellë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. PDK për herë të parë që nga themelimi është radhitur në vend të tretë, duke marrë 21.163% të votave.

Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit. Lëvizja e Kurtit ka marrë 26.159%, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosoves, me 24. 458%. /Gazeta Sinjali/