Flamuj serbo-rusë janë shfaqur në Babimoc të Obiliqit, fshat ky i banuar me shumicë serbe. Në videon e publikuar nga KosovaPress, të njëjtit shihen se janë vendosur pranë objekteve të kultit.
Po ashtu, në këtë vendbanim mbrëmë është raportuar se janë shfaqur edhe simboli “z”, e përhapur gjerësisht si simbol i agresionit rus në Ukrainë.
Së fundmi, simboli “z” dhe flamuj rusë ishin parë vetëm në veri të vendit, aty ku tashmë operojnë edhe grupe të dyshuara kriminale që synojnë në vijimësi destabilizimin e vendit.
Lidhja serbo-ruse është forcuar edhe më shumë pas luftës në Ukrainë, ku ndryshe nga të gjitha vendet perëndimore, Serbia, edhe pse vend kandidat i Bashkimit Evropian, nuk pranoi të harmonizonte politikat e jashtme me Unionin për të dënuar rusët.