Kequshqyerja apo ushqyerja e pamjaftueshme mund të reflektohet edhe në shenja fizike, përveç atyre metabolike.
Shenjat e kequshqyerjes nuk janë gjithmonë specifike dhe shpeshherë mund të reflektojnë mungesë të një sërë lëndësh ushqyese apo situatash që nuk lidhen detyrimisht me ushqimin.
Më poshtë mund t’i gjeni shenjat që tregojnë se nuk po ushqeheni mirë:
Flokët
Flokë pa shkëlqim, të thatë, që bien, apo që këputen lehtësisht, mund të lidhen me mungesë vitamine C, proteine, zinku apo hekuri .
Sytë
Sytë e zbehtë mund të sinjalizojnë mungesën e hekurit, me njolla dhe të thatë mungesën e vitaminës A, të kuq në cepa mungesën e vitaminës B.
Buzët
Buzë të thata, të çara apo me plagë në anë mund të jenë si pasojë e mungesës së vitaminës B.
Goja dhe mishrat e dhëmbëve
Mishra të gjakosur të dhëmbëve mund të sinjalizojnë mungesën e vitaminës C, gjuha e lëmuar mungesën e vitaminës B dhe ulja e shqisës së shijimit mungesën e zinkut.
Lëkura
Vështirësia në mbylljen e plagëve mund të vijë si pasojë e mungesës së proteinave, vitaminës C apo zinkut. Lëkura e thatë, e ashpër, pa yndyrë mund të jetë si pasojë e mungesës së acideve yndyrore në dietën ushqimore, mungesës së proteinave, vitaminës A dhe B.
Thonjtë
Thonjtë me valëzime mund të jenë si pasojë e mungesës së proteinave, dhe në formë luge, të zbehtë si pasojë e mungesës së hekurit.