image Shembet ura në Pensilvani para vizitës së Bidenit për të diskutuar mbi infrastrukturën

Botë

Shembet ura në Pensilvani para vizitës së Bidenit për të diskutuar mbi infrastrukturën

news image

Një urë me dy korsi u shemb në Pitsburg të Pensilvanisë herët në mëngjes të premten, duke bërë që ekipet e shpëtimit të zbrisnin rreth 46 metra në brendësi, ndërsa të tjerët formuan një zinxhir njerëzor për të ndihmuar në shpëtimin e shumë njerëzve nga një autobus që kishte mbetur i varur mbi urë.

Shembja ndodhi disa orë përpara se Presidenti Joe Biden të vizitonte qytetin për të bërë thirrje për miratimin e projektligjit të tij prej 1 trilion dollarësh për infrastrukturën, i cili përfshin mirëmbajtjen e urave.

Autoritetet thanë se pati lëndime të lehta nga shembja, por pa viktima. Në zonë u dërguan gjithashtu dronë për t’u siguruar që askush të mos kishte mbetur nën ndonjë seksion të shembur.

Policia njoftoi se shembja e urës ndodhi pak para orës 7 të mëngjesit. Një foto nga vendi i ngjarjes tregonte një autobus udhëtarësh të mbetur në një pjesë të urës së shembur.

Zyrtarët e qytetit thanë se shembja shkaktoi një rrjedhje gazi, por tashmë situata ndodhet nën kontroll.

Shefi i Byrosë së Zjarrfikësve në Pitsburg, Darryl Jones tha se tre ose katër automjete u përfshinë në aksident dhe se 10 persona ishin lënduar lehtë, tre prej të cilëve ishin dërguar në spital. Asnjë person tha ai nuk ndodhet në rrezik për jetën. Autoritetet u thanë drejtuesve të automjeteve që të shmangin zonën.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden do të vazhdojë me planet për të shkuar sot në Pitsburg.

“Ekipi ynë është në kontakt me zyrtarët shtetërorë dhe lokalë në terren ndërsa ata vazhdojnë të mbledhin informacione për shkakun e shembjes”, thuhet në deklaratë. /GazetaSinjali/