image Shemben gurët në autostradën “Ibrahim Rugova”, bien mbi tri vetura

Kosovë

Policia/ Shemben gurët në autostradën “Ibrahim Rugova”, bien mbi tri vetura

news image

Disa gurë kanë rrëshqitur në  autostradën “Ibrahim Rugova” të cilët kanë rënë mbi tri vetura afër kilometrit 6, në drejtim të Vërmicës rreth orës 17:30.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka thënë se nuk ka persona të lënduar.

“Sipas informacioneve fillestare të pranuara nga zyrtarët tanë në teren, sonte rreth orës 17:30 në autostradë, afër kilometrit 5/6, në drejtim të Vërmicës, është raportuar se si pasojë e shembjes së gurëve, tri automjete janë dëmtuar, përderisa nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar”, ka thënë Hoxha për Gazetën Sinjali.

Ai tutje ka treguar se Njësia për Menaxhim dhe Kontroll të Autostradave ka dalë në lokacion dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme, përfshirë edhe informimin e autoriteteve kompetente lidhur me gjendjen e autostradës.

Në vendin tonë po mbretëron mot i lig me të reshura të borës, derisa ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku përmes një njoftimi të bërë sot ka thënë se të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe se kompanitë përgjegjëse qysh nga mbrëmë po kryejnë punën e tyre. /Gazeta Sinjali/