Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në paraqitjet e tij publike, kishte gojën plotë fjalë kundër politizimit të ndërmarrjeve dhe institucioneve të pavarura.
Madje, kreu i kësaj partie në cilësinë e kryeparlamentarit, kishte nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Ambasadën Britanike, për depozitimin e institucioneve publike.
Por, ndryshe nga deklaratat e tij për opinion, organizatat e shoqërisë civile dhe analistët në vend, vazhdimisht e kanë akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës, si përgjegjësen kryesore ndër subjektet politike për politizimin dhe kapjen e institucioneve të pavarura.
Një ndër kritikat ka qenë politizimi i sistemit të policisë dhe drejtësisë në Kosovë, përmes instalimit në pozitat kyçe të njerëzve të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës.
Gazeta Sinjali ka siguruar një fotografi ku kryetari i PDK-së, Kadri Veseli është parë gjatë kësaj fundjave së bashku me hetuesin e lartë të Taskforcës Antikorrupsion në Policinë e Kosovës, Argjend Krasniqi.
Në bazë të kësaj fotoje shihet një raport i afërt i kreut të PDK-së me hetuesin e krimeve ekonomike, Argjend Krasniqi i cili siç duket, e ka bërë vetë selfijen duke buzëqeshur për mundësinë që i është dhënë për tu fotografuar me “shefin”, shkruan Gazeta Sinjali.
Fotografia është realizuar këtë të shtunë, gjatë një shëtitje në bjeshkët e Qafës së Valbonës.
Ajo është postuar në facebook nga vetë hetuesi i krimeve ekonomike, Argjend Krasniqi, i cili në bazë të detyrës zyrtare, do të duhej të qëndronte larg politikës dhe identifikimit me krerë të subjekteve politike.
Kjo nuk është hera e parë që hetuesi i lartë i taskforcës antikorrupsion, Argjend Krasniqi ka shfaqur publikisht afrinë e tij me zyrtarët e PDK-së.
Në të kaluarën, ai ishte shprehur përmes profilit të tij në facebook , në mbështetje të figurave të Partisë Demokratike të Kosovës, ndaj të cilave ishin ngritur aktakuza nga EULEX-i nën dyshimin për vepra penale./Gazeta Sinjali/