image Shefi i EULEX takohet me presidenten Osmani, shkak tensionet në Veri

Politikë

Shefi i EULEX takohet me presidenten Osmani, shkak tensionet në Veri

news image

Foto ilustruese


Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, ka qëndruar sot për një vizitë tek presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda Presidencës, temë diskutimi në këtë takim kanë qenë zhvillimet e fundit në Veri të vendit.

Autoritetet e Kosovës janë duke zbatuar një plan tre fazësh përmes së cilit inkurajohen qytetarët në katër komunat veriore të vendit, që të riregjistrojnë veturat e tyre.

Riregjistrimi po kërkohet për veturat që bartin targa ilegale të lëshuara nga Serbia, me shkurtesa të emrave të qyteteve si PR, PZ e të tjera.

Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Tri fazat e zbatimit të planit për targat përfshin fillimisht qortime për qytetarët që nuk i kanë ndryshuar ende targat, për të vazhduar më vonë me gjoba dhe targa provuese.

Qeveria e Kosovës synon që nga 21 prilli i vitit 2022 të mos ketë më në qarkullim vetura me targa ilegale serbe.

Rikujtojmë se në kundërshtim të këtij plani të autoriteteve të Kosovës, më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, në këtë situatë, kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara.

/GazetaSinjali/