Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka miratuar një rregullore të re që shtrëngon politikat e emigracionit, duke vendosur kufizime të reja për kohëzgjatjen e vizave të studentëve ndërkombëtarë, pjesëmarrësve në programet e shkëmbimit kulturor dhe gazetarëve të huaj.
Sipas Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare (DHS), vizat F, J dhe I nuk do të jenë më të vlefshme për të gjithë periudhën e studimeve apo angazhimit profesional në SHBA, por do të kenë afate të përcaktuara.
Rregullorja pritet të hyjë në fuqi 60 ditë pas publikimit në Regjistrin Federal, nëse kalon procesin e shqyrtimit në Kongres.
Me ndryshimet e reja, vizat për studentët dhe pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit do të kenë një vlefshmëri maksimale prej katër vitesh, ndërsa vizat për gazetarët e huaj do të kufizohen në 240 ditë. Për shtetasit kinezë, kjo periudhë do të jetë vetëm 90 ditë.
Megjithatë, personat që dëshirojnë të vazhdojnë qëndrimin në SHBA do të kenë mundësi të aplikojnë për zgjatjen e vizës ose, në të kundërtën, do të duhet të largohen nga vendi dhe të rikthehen me një leje të re hyrjeje.
Sipas DHS-së, ndryshimet synojnë të forcojnë mbikëqyrjen e vizitorëve të huaj, në një kohë kur numri i tyre ka shënuar rritje të konsiderueshme. Vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar mbi 1.8 milionë hyrje me viza studentore, më shumë se 500 mijë pjesëmarrës në programe shkëmbimi dhe rreth 37.300 gazetarë të huaj.
Autoritetet amerikane theksojnë se janë evidentuar edhe raste të personave që kanë qëndruar në SHBA për dekada me të njëjtin status, çka sipas tyre e ka bërë më të vështirë monitorimin e tyre.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!