image U dyshua se u helmuan nga ushqimi në syfyr, dalin rezultatet e analizave për ushtarët e FSK-së - Sinjali

U dyshua se u helmuan nga ushqimi në syfyr, dalin rezultatet e analizave për ushtarët e FSK-së

news image

Disa ditë më parë, pesë ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, dyshohej se janë helmuar nga ushqimi i mensës së FSK-së në Gjilan. Por këto dyshime tashmë janë hequr, pasi që janë dalë rezultatet e analizave që këta ushtarë i kanë bërë, shkruan Gazeta Sinjali.

Pesë ushtarë të Kosovës patën disa dhimbje barku dhe u ankuan që shkak i tyre ka qenë syfyri që e kanë ngrënë një natë përpara. Pas kësaj, ata i kryen të gjitha analizat e nevojshme për të parë nëse ishte faji i ushqimit që u servua në mensë.

Mbrëmë, analizat e ushtarëve kanë dalë dhe Inspektori sanitar për rajonin e Gjilanit, Shefik Beqiri, i tha Sinjalit se sipas tyre dhimbjet nuk kanë qenë nga ushqimi.

“Në bazë të rezultateve nuk ka rast që dyshohet dhe tashmë është verifikuar që nuk është faji i ushqimit. Gjithçka është në rregull, e kemi mbyll si lëndë”, tha ai.

Ndërkaq për këtë janë deklaruar edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik duke thënë se në analizat mikrobiologjike nuk është gjetur asnjë bakter patogjen.

“Analizat mikrobiologjike, respektivisht rezultatet e koprokulturës kanë rezultuar pa bakterie patogjene të cilat shkaktojnë helmim me ushqim. Në mostrën e sallatës është identifikuar numri i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile 3200 cfu gr/ml’, kanë deklaruar nga IKSHPK në një përgjigje për media.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin