image SHBA-ja do të tërheqë 12 mijë trupa ushtarake nga Gjermania

Botë

SHBA-ja do të tërheqë 12 mijë trupa ushtarake nga Gjermania

news image

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërheqin 12 mijë trupa ushtarake nga Gjermania.

Kështu bëri të ditur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, i cili tha se trupat e SHBA-së do të zvogëlohen në mënyrë të konsiderueshme në tërë Evropën.

Trupat amerikane të cilët do të tërhiqen nga Gjermania, Esper tha se do të vendosen në Belgjikë e Itali.

Pentagoni vlerëson se kjo zhvendosje strategjike do të ndihmojë në frenimin e Rusisë. Mark Esper, tha se ripozicionimi i trupave do të forcojë NATO-n, do të rrisë bllokadën kundër Rusisë dhe do të përmirësojë fleksibilitetin strategjik dhe operacional të SHBA-së.

Nga 34,500 ushtarë amerikanë, që janë të pozicionuar në Gjermani, rreth 6,400 do të kthehen në shtëpi, ndërsa afro 5,600 do të ripozicionohen në shtete të tjera të NATO-s.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë publike planet për ripozicionimin e trupave nga Gjermania qysh në qershor, edhe pse Gjermania, për kohë të gjatë, ka qenë qendër e operacioneve ushtarake amerikane në Lindje të Mesme, Afrikë dhe Evropë.

Vendimi ka ardhur pasi Trump ka kritikuar vazhdimisht Gjermaninë për mos përmbushje të angazhimeve ndaj NATO-s, përkatësisht të pagesës prej 2% të bruto prodhimit vendor për aleancën ushtarake.

Esper tha se personeli ushtarak amerikan në Gjermani do të konsolidohet në vende të tjera në Evropë, përfshirë bazat e NATO-s në Belgjikë dhe Itali.

Ripozicionimi i aseteve ajrore në Itali do t’i afronte ato më pranë rajonit të Detit të Zi, ndërsa transferimi i strukturave të komandës amerikane në Belgjikë do të ndihmonte në përmirësimin e koordinimit me komandën e NATO-s, tha Esper.

Ai tha se disa trupa mund të shkojnë edhe në vendet e Baltikut. Esper nuk dha ndonjë afat kohor për ripozicionimin e trupave, por tha se disa ndryshime mund të ndodhin brenda disa javësh, ndërsa të tjerat do të marrin më shumë kohë./Gazeta Sinjali/