Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar të enjten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tërhequr diplomatët e tyre nga Ukraina, pas paralajmërimeve të Rusisë drejtuar të dërguarve ndërkombëtarë për t’u larguar nga Kievi, përpara një vale të re sulmesh ajrore ndaj kryeqytetit ukrainas.
“Ajo që dëgjuam nga Ukraina dje ishte se të gjitha ambasadat qëndruan përveç njërës”, ka thënë Kallas para gazetarëve në Qipro.
“Të gjithë evropianët qëndruan. Amerika u largua”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë deklaruar publikisht se nuk do të largohen nga Ukraina, duke i cilësuar kërcënimet e Rusisë ndaj diplomatëve si të paligjshme dhe si një përpjekje për të vazhduar luftën në Ukrainë, e cila po zgjat prej më shumë se katër vjetësh.
“Ajo që po bëjnë tani është në fakt rritja e sulmeve terroriste, sepse nuk mund ta përshkruash ndryshe, duke krijuar frikë brenda shoqërisë”, ka deklaruar Kallas gjatë një takimi me ministrat e Jashtëm të BE-së.
“Nuk ka funksionuar për katër vjet. Nuk mendoj se do të funksionojë tani”, ka shtuar ajo.
Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë në këtë takim për sanksione të reja ndaj Rusisë, si dhe për situatën në Lindjen e Mesme dhe sfidat më të gjera të sigurisë evropiane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!