Presidenti i Republikës Çeke, Petr Pavel, i ka bërë thirrje NATO-s që “t’i tregojë dhëmbët” si kundërpërgjigje ndaj testimit të përsëritur të vendosmërisë së aleancës nga Rusia, kur bëhet fjalë për anëtaret lindore të saj, duke sugjeruar një varg opsionesh, përfshirë ndërprerjen e internetit në Federatën Ruse, shkëputjen e bankave të saj nga sistemet financiare globale dhe rrëzimin e aeroplanëve luftarakë rusë që e shkelin hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s.
Duke folur me gazetën “The Guardian” në Pragë, Paveli bëri thirrje për kundërpërgjigje “mjaftueshëm vendimtare, potencialisht edhe asimetrike” për t’iu kundërvënë sjelljes provokuese të Moskës kundër aleancës, në të kundërtën shfaqet rreziku që Kremlini t’i intensifikojë veprimet e veta.
Paveli është gjeneral i pensionuar dhe ish-udhëheqës i komitetit ushtarak të NATO-s, me përvojë të rrallë në mbrojtje në mesin e udhëheqësve evropianë. Përvoja e tij në bisedime me Moskën rreth këshillit tashmë të pezulluar NATO – Rusi e ka bërë atë zë me ndikim për të ardhmen e aleancës dhe rreziqet me të cilat ballafaqohet ajo.
Ai shprehu zemërim me “mungesën e vendosmërisë për ta vazhduar shtytjen nga Shtetet e Bashkuara ndaj Rusisë”, edhe pse u kursye nga kritikat e drejtpërdrejta për homologun amerikan, Donald Trump, ndonëse kreu i Shtëpisë së Bardhë po vazhdon të hedhë dyshime mbi të ardhmen e zotimeve të Uashingtonit karshi aleancës.
Në të kaluarën, ai për mediat çeke ka thënë: “Trumpi ka bërë më shumë për ta minuar kredibilitetin e NATO-s për disa javë të fundit sesa që Vladimir Putini ka arritur ta bëjë këtë për shumë vjet.”
Paveli iu shmang pyetjeve për këtë koment, duke thënë se nuk mendon që “ndonjë kritikë e drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara do të ndihmojë në këtë moment”.
Ai paralajmëroi se nëse udhëheqësit evropianë “gjithmonë parapëlqejnë një zgjidhje diplomatike, edhe pse rusët nuk shfaqin gatishmëri për një gjë të tillë”, NATO-ja rrezikon që të jetë e përçarë dhe e paaftë për të vepruar.
“Rusia, fatkeqësisht, nuk e kupton gjuhën e sjellshme. Ata kryesisht e kuptojnë gjuhën e fuqisë, në mënyrë ideale të shoqëruar me veprim… Nëse shkeljet e hapësirës ajrore të NATO-s vazhdojnë, ne do të duhej të arrinim te një vendim për të rrëzuar qoftë një aeroplan me pilot, qoftë mjet pa pilot” – shtoi ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!